Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka mirëpritur raportin e sotëm të Parlamentit Evropian për Kosovën, dhe ka mbështetur dialogun për liberalizimin e vizave.
Rohde përmes një postimi në Twitter, ka lavdëruar edhe fjalimin e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon për çështjen e vizave dhe çështje të tjera.
“Mirëpres raportin e Parlamentit Evropian dhe këto fjalë të qarta të Viola Von Cramon për liberalizimin e vizave, reformat në sundimin e ligjit, zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe dialogun në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar Rohde.
Welcome the 🇪🇺 Parliament’s report and these clear words by @ViolavonCramon on visaliberalisation, reforms, rule of law, implementation of the CC judgement on Decani and the Dialogue on 🇽🇰path towards EU integration
👇 https://t.co/xJtqjJWrud— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) July 6, 2022
Ndërkaq, Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen e ndërsjellë”.
Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.
“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, ka thënë Viola von Cramon.
Viola von Cramon: “Dëshirojmë të shohim një takim në nivel të liderëve të Serbisë dhe Kosovës këtë korrik”
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka deklaruar se miratimi i sotëm i rezolutës për Kosovën do të thotë se parlamentarët evropianë kanë dërguar një sinjal të qartë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës “bazuar në njohjen reciproke” është vendimtar për progresin e “të dy vendeve” në rrugën e integrimit në BE.
“Ne duam të shohim zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut dhe një takim në nivel të liderëve të Serbisë dhe Kosovës këtë korrik”, ka thënë Cramon.
Cramon ka thënë gjatë një konference për media në Strasburg se rezoluta për Kosovën propozon “integrim të suksesshëm të veriut” dhe përpjekje të mëtejshme për përmirësimin e jetës së përditshme të serbëve të Kosovës, gjë që sipas saj do të kontribuonte në stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të Kosovës.
Ajo shtoi se lufta në Ukrainë ka çuar në forcimin e pranisë së EULEX-it në Kosovë, por se nuk është vërejtur ndonjë kërcënim serioz për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, as në veri e as në pjesë të tjera.