“Ky është sundimi i ligjit”.
Kështu ka reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pas vendimit të Gjykatës Komerciale për Klan Kosovën, duke shpërndarë reagimin e Qendrës Evropiane për Lirinë e Medias.
That's rule of law! https://t.co/g1MNGK0whl
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 3, 2023
Gjykata Komerciale ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve.
Ky vendim vjen dy ditë pasi rasti i pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova’’ është pranuar në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht në Dhomat e Shkallës së Parë.
Kësisoj, Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese të nxjerra nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të MINT.
Ekzekutimi i këtyre vendimeve shtyhet derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.
Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë kanë vendosur sot lidhur me konfliktin administrativ sipas padisë së paditësit Klan Kosova Sh.p.k. kundër të paditurit Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Para disa ditësh, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.