Sipas mediave sllovene, Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku para të dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.
Më pas, sipas mediumit slloven, thuhet se ato mjete financiare i dërgoheshin një politikani slloven para se të përfundonin në një kompani tjetër në Itali.
Këto transfere parash kanë çuar deri te hetimi i politikanit slloven Golob.
Pagesat nga dega e kompanisë energjetike serbe GEN-I, të cilat ekzekutoheshin në kompaninë e Berishajt, ‘MB Consulting’, bëheshin në emër të konsultës me përshkrimin se janë pagesa për këshillime profesionale.
Skandali financiar, në të cilin është përfshirë Berishaj, kap shumën e rreth 600 mijë eurove, të cilat ai i tërhiqte nga xhirollogaria e ‘kompanisë së tij fiktive’ dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.
Tërheqja e parave nga ambasadori Berishaj, sipas mediave sllovene, ishte bërë nga dy xhirollogari.
“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.
Berishaj në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje, dhe pas fitores së kësaj të fundit ai është emëruar ambasador në Zagreb.