Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, është duke i vizituar komunat me shumicë shqiptare në Serbi.
Hill fillimisht shkoi në komunën e Bujanovcit, ku u prit nga kryetari i këtij qyteti, Nagip Arifi.
Pas vizitës në Bujanovc, ai pritet ta vizitojë edhe komunën e Preshevës, ku do të pritet nga kryetari Shqiprim Arifi.
Pas takimit, pritet të ketë edhe konferencë për media.
Ndryshe, përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë të Komunave të Luginës së Preshevës, përmes një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar të drejta të barabarta siç parashihen për serbët në planin evropian.
Në pikën e parë, ata kërkojnë realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe adresimin e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit evropian.
Ndër të tjera, kërkohet edhe përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë.