Ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, ka thënë se e kupton shqetësimin e Kosovës rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por se nuk sheh ndonjë rrezik për funksionimin e shtetit.
Ai ka theksuar se krahasimi me Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë është i padrejtë dhe se konteksti i Kosovës është krejtësisht tjetër.
Westerlund ka thënë se Suedia dhe vendet e tjera të BE-së dhe SHBA-së rekomandojnë krijimin e Asociacionit, duke përmendur një strukturë të ngjashme në Kroaci që nuk kërcënoi shtetin kroat.
“Mendoj se referenca për Republika Srpska në Bosnje është paksa e padrejtë sepse ky është një kontekst krejtësisht tjetër. Pra, unë e respektoj frikën, ose më mirë shqetësimet, por mendoj se kjo mund të bëhet në një mënyrë të qetë. Unë vetëm mund të nënvizoj dhe mbështes shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe SHBA-në, duke thënë se ne i rekomandojmë qeverisë të krijojë një asociacion. Unë nuk e ndaj shqetësimin apo referencat e bëra për Republikë Srpska. Ky është një kontekst tjetër. Kemi një numër shumë më të vogël të pakicave në këtë vend, në krahasim me përbërjen etnike në Bosnje. Pra, për mua kjo është e pabazuar”, ka thënë ambasadori suedez për EO.
Sa i përket aksionit të fundit të Policisë së Kosovës në veri, ambasadori suedez ka theksuar nevojën për trajtimin e kësaj çështjeje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, ndërsa ka shtuar se shteti suedez e njeh legjitimitetin e Kosovës për të ndërmarrë veprime brenda territorit të saj.
“Mendoj se të gjithë e kemi thënë, ne si komunitet ndërkombëtar dhe shtete anëtare të Bashkimit Evropian, se kjo duhet të trajtohet në dialogun e lehtësuar nga BE. Suedia e ka njohur Kosovën në vitin 2008. Në fakt, ne ishim ndër të parët që e njohëm Kosovën dhe ajo ka të gjitha arsyet legjitime për të marrë vendime brenda kufijve të saj. Por, nëse dëshiron të bëhet anëtare e strukturave euroatlantike, duhet të punojë më shumë me komunitetin ndërkombëtar. Ju duhet të punoni ngushtë me anëtarët evropianë për të gjitha llojet e çështjeve, duke përfshirë edhe këtë çështje”, ka thënë ai.
Westerlund gjithashtu ka shprehur mbështetjen e plotë të Suedisë për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke përfshirë BE dhe NATO, por theksoi se ky proces mund të marrë kohë.
Ndërsa, për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ai ka thënë se mosvotimi në komitetin ministror më 16 dhe 17 maj, ishte një mundësi e humbur dhe se shpreson që kjo të kthehet sa më shpejt në agjendë.