Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka shprehur qëndrimin e vendit të tij në lidhje me masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se Turqia është kundër përdorimit të sanksioneve unilaterale.
Ambasadori Angili ka thënë se sanksionet unilaterale nuk sjellin rezultate. Në vend të kësaj, ai ka përmendur se zgjidhjet ligjore dhe trupi ligjor i përshtatshëm për të zbatuar sanksione është vetëm Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Për ne, për Turqinë, sanksionet unilaterale nuk sjellin rezultate dhe si parim Turqia është kundër gjuhës së sanksioneve dhe zbatimin e masave unilaterale dhe kjo nuk është vetëm me Kosovën, por ne e përcjellim edhe në Ukrainë – Rusi dhe Iranin në të kaluarën dhe ne mendojmë që e vetmja zgjidhje ligjore dhe trup ligjor për të zbatuar ose të vendos sanksione është vetëm Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar ambasadori Angili për emisionin Debat Plus të RTV Dukagjinit.
Ambasadori turk ka shtuar se derisa nuk janë anëtarë të BE-së, ata nuk bëjnë pyetje për rolin e lehtësuar të BE-së në rajon, dhe se ky është vendimi i KiE-së, i cili është marrë nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian.
Ai ka theksuar se, nëse Turqia do të ishte një anëtare e BE-së, mund të kishte ndryshuar mënyrën e shprehjes së mendimit të tyre, por tani janë një vend kandidat me qëllim anëtarësimin në të ardhmen.
Duke pasur parasysh që Turqia është një vend kandidat për anëtarësim në BE, ai ka vënë në dukje se anëtarësimi i të gjitha vendeve të Ballkanit në BE dhe NATO është në interes të stabilitetit të rajonit.
“Dhe kjo është pozita jonë parimore, ne gjithashtu mendojmë që BE-ja është facilitator ligjor i këtij dialogu, ne nuk jemi pjesë Unionit Evropian, ne jemi vend kandidatë dhe jemi duke kaluar histori të gjatë për t’u anëtarësuar dhe kemi përvoja të ndryshëm me BE-në por një gjë e besojmë që në Ballkan anëtarësimi në BE për të gjitha vendet ballkanike dhe në NATO, gjithashtu anëtarësimi për të gjitha vendet është në interesin të Ballkanit dhe stabilitetin e vendeve ballkanike andaj nuk bëjmë pyetje rolin e lehtësuar të BE-së, dhe ky është vendimi i KiE-së i cili është marrë nga 27 anëtarët, nëse do të ishim anëtarë ndoshta do ta kishim dhënë mendimin tonë në mënyrë tjetër”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se Turqia dhe BE-ja kanë përvoja të ndryshme, por anëtarësimi i vendeve të Ballkanit në BE dhe NATO është një synim i përbashkët që ka përfitime të mëdha për rajonin dhe stabilitetin e tij.
Masat që po zbaton BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.