Përfaqësuesi i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, ambasadori Astrit Zemaj, është takuar me drejtorin e NALT, gjeneralin Ralf Peter Hammerstein.
Zemaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar se Kosova është e përkushtuar që së bashku me Aleancën Veriatlantike (NATO) t’i arrijnë objektivat për paqe dhe integrim të plotë në këtë aleancë, dhe se për këtë e ka njoftuar edhe gjeneralin Hammerstein.
“Sot isha i nderuar që në kuadër të punës se përbashkët me Divizionin për Operacione të #NATO-s, te kem një takim të shkëlqyeshëm dhe frytdhënës me Drejtorin e NALT- Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s në Kosovë, gjeneralin Ralf Peter Hammerstein.
NALT-i si një strukturë e veçantë dhe jashtëzakonisht e rëndësishme e NATO-s e vendosur në Kosovë, ka një bashkëpunim te shkëlqyeshëm me Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe FSK-në, te cilëve ju jemi mirënjohës për punën e madhe, avancimet dhe mbështetjen shumë dimensionale ne fushat përkatëse për zhvillimin e metejmë të FSK-së si dhe kontributin për paqen dhe sigurinë”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka falenderuar drejtorin e NALT-it, gjeneralin Hammerstein, për angazhimin dhe përkushtimin e tij në raport me Kosovën.
“Falënderova posaçërisht gjeneralin Hammerstein për përkushtimin e tij dhe Ekipit qe ai e drejton, si dhe për bashkëpunimin tonë që e kemi këtu në NATO.
Vendi ynë është i vendosur dhe i përkushtuar qe së bashku me NATO-n, vendet Aleate dhe Partnere, te bashëkudhëtoj deri në realizimin e plotë të qëllimeve tona për të u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike”, ka shkruar për fund ambasadori Zemaj.