Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, ka thënë se e ka gjetur gazetarin Evan Gershkovich me “shëndet të mirë”, në burgun që është dërguar.
Gershkovich është arrestuar nga autoritetet ruse dhe është akuzuar për spiunim.
“E kam vizituar sot gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, në burgun Lefortovo – hera e parë që më është lejuar qasja, prej kur ai është dënuar gabimisht, rreth dy javë më parë”, është cituar të ketë thënë ambasadorja përmes një postimi në Twitter.
“Ai është me shëndet të mirë dhe po qëndron i fortë”, ka shtuar ajo.
Gershkovich pritet ta apelojë ndalimin e tij të martën, shkruan REL.
Gazetari amerikan përballet me 20 vjet burgim, nëse shpallet fajtor nën akuzat për spiunim.
Moska e akuzon atë se ka tentuar të sigurojë informacion të klasifikuar për Qeverinë amerikane.
Vetë gazetari, por edhe zyrtarët amerikanë, i hedhin poshtë këto sugjerime.
Rasti i tij është i klasifikuar, që nënkupton se shumë pak informacione janë të qasshme për publikun.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka konsideruar burgosjen e Gershkovichit si “plotësisht të paligjshme” dhe i ka thënë familjes së tij se është duke punuar për lirimin e gazetarit.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë javën e kaluar se këmbimet eventuale do të mund të bëhen, vetëm pasi gjykata të shpallë vendimin e saj.