Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, në një intervistë për N1 ka folur për situatën në veri të Kosovës.
Konrad ka thënë se “është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë për të gjetur kompromisin përfundimtar me ndërmjetësimin e BE-së dhe të mos kalojnë nga kriza në krizë”.
E pyetur se cili është qëndrimi i Gjermanisë për situatën në Kosovë, Konrad tha se përshkallëzimi aktual i situatës në terren tregon se sa urgjente është që më në fund të shkohet në tryezën e bisedimeve, për të gjetur një kompromis.
“Kemi arritur të gjejmë një kompromis për çështjet individuale në muajt e kaluar… Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë për të gjetur kompromisin përfundimtar me ndërmjetësimin e BE-së dhe të mos kalojnë nga kriza në krizë, të vendosin vazhdimisht afate të reja dhe kështu të krijojnë tensione të reja”, ka deklaruar ajo.
E pyetur se kë sheh tani Berlini si fajtorin kryesor për krizën aktuale, Kosovën apo Serbinë, ambasadorja tha se i konsideron të dyja palët fajtore.
“Të dyja palët, të dyja palët duhet të tregojnë vullnetin për të gjetur një rezultat që do të ulë tensionet, kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë moment. Kjo do të thotë se asnjëra palë nuk bën diçka që do të shkaktojë reagime hakmarrëse nga pala tjetër. Ne duhet të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, ka shtuar ajo.
Ambasadorja gjermane ka shpjeguar përsëri se pse është kundër kërkesës së Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
“Ekziston ajo rezolutë dhe KFOR-i do të formulojë përgjigjet në bazë të saj, ajo që thamë është se nga perspektiva jonë Rezoluta 1244 nuk ofron bazë për kthimin e njësive nga Serbia në veri të Kosovës, por përgjigja e KFOR-it do të pasojë”, ka theksuar ajo.
Tutje ajo ka thënë se Gjermania pret që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
“BE ka vendosur të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve deri më tani, kjo është një temë ku ne kemi mendime të ndryshme. Shpresojmë që Serbia si vend kandidat për anëtarësim në BE të vendosë për sanksione si tjerat vende të Ballkanit Perëndimor që kanë bërë, por i mbetet Serbisë që të vendosë për këtë”.
Ndryshe, që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.
Të njëjtat barrikada vazhdojnë të qëndrojnë ende të palëkundura përkundër thirrjeve ndërkombëtare që ato të hiqen menjëherë.