“Është frekuentim i madh i njerëzve a po e sheh në shtetet fqinje çka po ndodhe ne duhemi me marr model për të mirë jo për keq…”
Pas tragjedisë që ndodhi në Maqedoni të Veriut, ku vdiqën 59 persona si pasojë e një zjarri në një klub nate, Inspektorati në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ka nisur një aksion inspektimi edhe në Kosovë.
Ky inspektim i jashtëzakonshëm përfshinë inspektimin e të gjitha objekteve që janë të frekuentuara, nëse të njëjtit kanë pajisjet dhe masat e duhura në rast se ballafaqohen me ndonjë situatë të zjarrit.
Aksionet në fillim jave kanë nisur në Prishtinë, për të vazhduar gjatë së martës në komunën e Pejës, ku në planin e punës ishin inspektimi i një klubi të natës që nuk ishte duke punuar, e biznese të tjera të gastronomisë.
“Jemi duke realizuar disa inspektime të jashtëzakonshme gjithnjë duke u bazua në planin e punës që e kemi, jemi në disa lokacione ku jemi duke i zhvilluar disa inspektime në aspektin e masave të mbrojtjes ndaj zjarrit, gjithnjë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ligjin në mbrojtje nga zjarri dhe ligjin e mbrojtës nga fatkeqësitë…”, ka thënë Kastriot Lajçi – Kryeinspektor në Agjencinë e Emergjencave.
Sipas kryeinspektorit në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, aksioni më shumë ka të bëjë me vetëdijesim.
“Do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim inspektimet e jashtëzakonshme të masave në mbrojtje ndaj zjarrit sepse kjo ka të bëjë më shumë për vetëdijesimin e qytetarëve për me u vetëdijësu në aspektin e masave të mbrojtjes ndaj zjarrit, gjithnjë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi…disa objekte afariste i plotësojnë kushtet, disa të tjera jo, por ne nuk do të kemi kompromis aspak ndaj bizneseve që nuk i plotësojnë masat ndaj mbrojtjes nga zjarri duke u bazuar në rregulla dhe normat teknike.” – Kryeinspektor në Agjencinë e Emergjencave.
Gjatë aksionit në qytetit e Pejës, është inspektuar edhe Hotel Dukagjini, por i cili ka qenë i pajisur me të gjitha pajisjet dhe dokumentacionin e duhur.