Gjenerali në pension, komandanti për një kohë të gjatë i FSK-së, Kadri Kastrati, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, rreth amputimit të këmbës së një ushtari ndërkombëtar gjatë protestës në Zveçan, ka thënë se për një kohë të gjatë Serbia ka stërvitur serbët e veriut në Rashkë.
“Sipas informatave që unë kam, aty janë përdorur edhe armë zjarri dhe ky ushtari i KFOR-it dhe dy të tjerë të plagosur nuk janë lënduar me mjete të forta por janë të plagosur me armë zjarri dhe janë përdorur pikërisht për t’a eskaluar situatën, ka pasur planifikim edhe për të vrarë njerëz”, ka thënë Kastrati.
Kastrati ka thënë se protestat dhe aktet e dhunshme kanë qenë të planifikuara dhe të komanduara nga presidenti Vuçiq.
“Pas kryengritjes, pas rebelimit të Wagner, Vulin ka pranuar që një numër i njësive të tyre të vie në Serbinë qendrore dhe një pjesë tjetër të pozicionohet në Republikën Srpska, në Bosnjë e Hercegovinë. Kjo tregon që Serbia planifikon shumë seriozisht që jo vetëm t’a mbajë nën tension veriun e Kosovës por gjithashtu planifikon që të ketë një konflikt të mundshëm në Bosnje dhe në pjesën veriore të Kosovës”, ka shtuar Kastrati.
Ai ka shtuar se kjo situatë përbën rrezik për të gjithë Ballkanin Perëndimor sepse po të ketë një konflikt në Bosnje dhe Kosovë, sipas tij dhe pjesa tjetër e rajonit nuk do të jetë imun ndaj këtyre ngjarjeve.
“Pesonalisht nuk besoj që Serbia guxon të lëshohet në një hap që të rrezikoj territorin e Republikës së Kosovës sepse automatikisht do t’i shpallte luftë NATO-s. Mirëpo Serbia e di këtë punë dhe mundohet që përmes ekstremistëve të bëjnë një ‘luftë qytetare’ që kinse serbët po i mbrojnë të drejtat e veta”, ka shtuar tutje ai.