Konsiderohen si ndër pjesët më revolucionare në historinë e teknologjisë, por sa të mira i kanë sjell disa rrjete sociale njerëzimit, me vete kanë pasur edhe anën e errët të tyre.
E kjo ka bërë që shpeshherë, përdoruesit e saj të marrin vendime të rënda.
Jo më larg sesa të hënën, një 27-vjeçare në Kamëz të Shqipërisë, pas dy përpjekjeve të mëhershme i dha fund jetës së saj pas publikimit të një fotoje intime në “Tik Tok”.
E ndonëse nuk e mohojnë se bota kibernetike nuk është e sigurt, të rinjtë apelojnë për disa kufizime.
“Mendoj se duhet me qenë një rregullore po jo në aspektin gjeneral që me qenë shumë kontrolluese. Një rregullore duhet të jetë por s’është që ndihem i rrezikuar”, tha Nderim Hajdari.
E si arsye e përdorimit të madh të këtij lloji të rrjeteve sociale, mbetet niveli i ulët i censurës në to.
“Nuk është veç Tik-Toku, mundet të jenë edhe platformat e tjera sociale por cenzura, parandalimi i censurës, kontentit është më pak i padefinuar në Tik-Tok. Shumë sene të tjera filtrohen. Nëse keni mujt me përcjell tash edhe X apo ish-Twitteri që ka pas më shumë censurë tash e ka lëshu këtë që për grupmosha të ndryshme munden me qenë jo të përshtatshme”, tha Tanzer Abazi, bjohës i kibernetikës
Njohësi tjetër i kibernetikës, Mentor Hoxhaj, tregon pse bota kibernetike përballet me presion kaq të madh.
“Audienca është jashtëzakonisht e madhe në krahasim me ngjarjet që ndodhin në hapësirat fizike ku ndodhë njëherë dhe numri është i kufizuar. Këto janë impakte jashtëzakonisht të mëdha ku qytetarët nuk e kuptojnë impaktin në hapësirën kibernetike”, tha Mentor Hoxhaj, dejtori i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi.
Nga të dy ekspertët bëhet thirrje për kujdes në përdorimin e përmbajtjeve në telefon dhe komunikimit me të panjohurit.
Gjatë vitit 2023 në Kosovë, sipas statistikave të Policisë, janë shënuar 101 raste të shantazheve dhe 2635 të kanosjeve, ndërsa sivjet deri më tani 11 raste të shantazheve dhe 161 të kanosjeve.
Ndërkaq, në Shqipëri këto raste janë shtuar gjatë javëve të fundit.
Lidhur me rastin e 27-vjeçares, është arrestuar një person i cili dyshohet të kishte kryer vepra të ngjashme edhe më herët.
Ndërkaq, muajin e kaluar, një nënë e katër fëmijëve nga Durrësi i dha fund jetës pas hapjes së një llogarie në Tik-Tok në emër të saj.