Njohës të çështjeve të drejtësisë kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që t’i rishikojë kriteret për vendosjen e personave të dënuar në institucionet korrektuese të tipit të hapur, pasi shohin “rrezik të arratisjeve tjera”, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për arratisjet e fundit, me theks të veçantë të Faton Hajrizit, analistët fajësojnë institucionet përgjegjëse, pasi vendosja e personave në institucionet korrektuese të tipit të hapur që nuk janë risocializuar, është e gabuar.
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se vendosja e këtyre personave në institucione të tipit të hapur është interpretim i gabuar i dispozitave të ligjit për ekzekutimit e sanksioneve penale.
“Referuar asaj që kemi parë dhe dispozitave ligjore të ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, vlerësoj që janë bërë lëshime me rastin e rishikimit e kritereve me theks të veçantë çështja e mundësisë së vendosjes së personave të dënuar në institucionet korrektuese të tipit të hapur siç është rasti me Institucionet Korrektuese përkatësisht Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, për faktin se koncepti i të vendosurit në një institucion të tipit të tillë i personit të dënuar nënkupton që ai person e ka kryer një pjesë bukur të madhe të dënimit dhe i ka mbetur edhe pak kohë për ta përfunduar, ka arritur një shkallë relativisht të lartë të risocializimit prandaj vendosja në këto institucione është me qëllim të lehtësimit të personit të dënuar, rikthimit të tij në jetën e përditshme. Prandaj vlerësoj që me rastin e rishikimit të kritereve dhe me rastin e vendosjes së këtij personi, përkatësisht personave të tillë në institucionet korrektuese të tipit të hapur janë bërë lëshime të cilat pastaj organet ligjzbatuese duhet t’i marrin në konsideratë”, ka thënë Bajraktari. “…prandaj mundësia se personave të cilët nuk janë risocializuar mjaftueshëm dhe kanë vite bukur shumë për t’i përfunduar në institucionet korrektuese, vendosja e këtyre personave në këto institucione, në bindjen time është interpretim i gabuar i dispozitave të ligjit për ekzekutimit e sanksioneve penale”.
E personat që nuk kanë arritur risocializohen mjaftueshëm, përgjegjës Bajraktari i bën institucionet.
“Natyrisht që shteti është para së gjithash përgjegjës, në tri drejtime. E para që nuk ka arritur mjaftueshëm ose nuk ka arritur ta risocializojë personin në fjalë, pastaj rishikimi i kritereve dhe vendosja në institucionet korrektuese të tipit të hapur, një personit i cili nuk është risocializuar i ka mundësuar të njëjtit të arratisët nga burgu, si kundër që edhe pastaj veprimet pasuese pas arrestimit të të njëjtit. Mundësia e largimit të tij nga Kosova, të gjitha këto kanë rezultuar me atë çfarë në fakt tashmë jemi dëshmitarë të gjithë. Prandaj në të gjitha, para së gjithash dhe në radhë të parë janë organet shtetërore përgjegjëse”.
Rishikim të politikave nga Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar edhe hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala. Shala ka thënë për Ekonomia Online, se është e nevojshme që Ministria e Drejtësisë t’i rishikojë politikat e saj.
Ai ka thënë se duhet të ketë një vlerësim adekuat në secilin rast nëse një person i caktuar duhet të vendoset a jo në një tip të hapur të burgjeve.
“Fillimisht duhet të theksuar faktin se zotëri Hajrizi ka qëndruar në burg për vite me radhë dhe për gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, vetë dënimi i shqiptuar supozohet që të arrijë njërin prej qëllimeve të tij, e që është parandalimi i kryerjes dhe risocializimi i tij në atë mënyrë që i njëjti të kthehet si person i dobishëm në shoqëri. Ndërsa në rastin konkret përkundër faktit që kanë kaluar për vite të tëra të mbajtjes së burgimit, duket se ky qëllim nuk është arritur dhe kjo situatë flet për nevojë për shikimin dhe rishikimin e politikave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues në drejtim të risocializimit dhe të riintegrimit të personave të cilët mbajnë dënim. Sa i përket arratisjes së tij nga burgu i hapur i Smerkonicës, është shumë e nevojshme që Ministria e Drejtësisë t’i rishikojë politikat e saj, sa i përket vendosjes së personave në burgje të tipit të hapur, duhet të ketë një vlerësim adekuat në secilin rast nëse një person i caktuar duhet të vendoset a jo në një tip atë të hapur të burgjeve. Definitivisht të gjitha rrethanat janë arsye që Ministria e Drejtësisë të qasen dhe të analizojnë të gjithë këtë situatë”, ka thënë Shala.
Shala ka adresuar kritika edhe për deklaratat e ministres Albulena Haxhiu, e cila raportoi “për një rrezik kombëtar dhe për një ndërhyrje të Serbisë në burgjet e Kosovës”.
“Ministria e Drejtësisë duhet të reflektojë përballë kësaj për të nxjerr nevojat që ka Shërbimi Korrektues, burgjet e Kosovës. Përkundër kësaj ministrja e Drejtësisë ka zgjedhur të theksojë se fajtor për këtë është shteti serb, që po ndikon në burgjet e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht përballë kësaj deklarate ajo çfarë do të prisja unë është që kryeministri ta ftonte atë në takim dhe ta pyeste se si është ky lloj ndikim, cilat janë kompetencat tona dhe se si do të mundin ta ndalim këtë ndikim serb në burgjet e Kosovës. Mirëpo, përkundër kësaj kryeministri kritikoi Prokurorinë Speciale e cila thjeshtë bëri punën e vet. Thjeshtë e intervistojë ministren e Drejtësisë e cila në publik raportoi për një rrezik kombëtar, për një ndërhyrje të një shteti tjetër në burgjet e Kosovës. Dhe për këtë arsye kjo qasje e kryeministrit dhe ministres, mënyra se si e ka plasuar pa marrë parasysh se a është e vërtetë ose jo, është problematike”, u shpreh Shala.
Shala ka thënë se në burgun e Smrekonicës duhet të vendosen personat që nuk ka ndonjë interes që të arratisen dhe se sipas tij vlerësimi nuk duhet të jetë vetëm formal por duhet të jetë një vlerësim meritor./EO