I dërguari i posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pas katër vjetësh do të largohet nga kjo detyrë, dhe pritet të jetë ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër nga 1 shtatori.
Njohës të çështjeve politike në Kosovë kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me punën dhe angazhimin e tij në këtë proces.
Politologu, Albinot Maloku ka thënë për Ekonomia Online se mbarimi i misionit të Lajçakut duhet të shihet si pozitiv, në kuptimin që një person tjetër do të jetë më i angazhuar dhe më neutral.
“Është pritur që mbarimi i Lajçakut të jetë pozitiv në kuptimin që një person tjetër të jetë më i angazhuar më neutral dhe të jap ndikimin e vetë personal në këtë drejtim. Se a do të bëhet kjo duhet me pritë për me e pa, por konsideroj që Lajçak, ka pasur një mision në traditën e vet të dështuar të angazhimeve ndërkombëtare dhe nuk kam pasur aspak pritje duke e njohur angazhimin e tij ndërkombëtar. Tani çdo person që do të vijë do të jap ndikimin e vet pozitiv. Paralelisht kësaj dihet se BE-ja në raport me çështjen e dialogut është një mekanizëm i cili e mban një trase thelbësore të dialogut. Individi në këtë proces mundet të jap kontributin e vet të ruajtjes së neutralitetit që ka qenë shumë e rëndësishme në procesin mes Kosovën dhe Serbisë dialogut”, ka thënë Maloku.
Njohësi i çështjeve politike, Maloku ka shtuar se përmbyllja e dialogut do të ishte bërë nëse kishim pas marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese përfundimtare që e ka në qendër njohjen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përmbyllja e dialogut do të ishte bërë nëse kishim pas marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese përfundimtare që e ka në qendër njohjen mes Kosovës dhe Serbisë. Këto marrëveshje që kanë ndodhur, pajtimet të gjitha janë vetëm kontribuuese në normalizimin e raporteve dhe për pasojë nuk konsideroj që do të ndodh përfundimi i dialogut si i tillë dhe tani që me pajtimin e fundit që Kosova e dha me shkrimin e vetë dhe pajtoj që dialogu të jetë përcaktues edhe i integrimeve evropiane të saj”, ka thënë Maloku.
Sipas Malokut, “kjo është pjesa tjetër shqetësuese e hapave të qeverisë aktuale pas pajtimit që ndodhi në Bruksel dhe Ohër që kishte vullnet për ta dhënë nënshkrimin dhe tani si mundësi nuk e shoh përmbylljen e dialogut sidomos në një të afërme dhe sidomos nëse nuk do ta kemi këtë dokumentin gjithëpërfshirës i cili kishte më qenë mision obligues i njohjes mes palëve mirëpo do të merr dinamikën e vet fatkeqësia është se po diskutohet në Bruksel për një çështje që ka qenë e brendshme siç është dinari dhe kjo ka qenë një dalje jo e mirë nga binarët që ka pas dialogu si i tillë në të gjitha dështimet që i ka pas, të gjitha defektet që i ka pas si proces prej nisjes së saj”.
Ndërsa, Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare ka thënë se do të ketë ndryshime në gjithë strukturën e Komisionit Evropian sepse po afrohen zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
“Po, është e vërtetë që ka me pas ndryshime në gjithë strukturën e Komisionit Evropian sepse po afrohen zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe mbi bazën e pasi të ndërtohet Parlamenti Evropian si strukturë e BE –së, atëherë do të votohet edhe Komisioni Evropian i cili mund të ketë përbërje krejtësisht të re. Pra duke filluar që nga shefi i diplomacisë së jashtme, Borell dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, jam i bindur që do të ketë ndryshime në këtë fushën e jashtme. Por edhe te zoti Lajçak si i dërguar special i BE-së, apo dialogun Kosovë-Serbi sepse është pa që ka nevojë për një rifreskim për këtë fushë dhe besoj që do të jetë një figurë e re”, ka deklaruar Arifi.
Ai shpreson që figura e një ndërmjetësuesi të ardhshëm të jetë më shumë politike sesa teknike.
“Por kisha pas dëshirë që figura të jetë më shumë politike se sa teknike në kuptimin që edhe zoti Lajçak ka qenë politike por një figurë pak më e fuqishme apo të paktën që vie nga një shtet më i fuqishëm politik pra një shtet mos njohës. Mund të jetë nga Gjermania, Franca, Italia por jo një vend shumë i vogël i pafuqishëm politikisht dhe që nuk ka mjohue pra sepse po vërehet që po ka shumë disbalanc. Por sidoqoftë edhe nëse do ndryshon kryenegociatori prap mendoj se është fillim pozitiv pra në substancë përbeje nuk do ndryshojë shumë sepse Kosova veç se e ka pranuar planin Franko-Gjerman dhe është zotuar që do ta zbatojë kështu që kryenegociatori i ri krejt çka do të ketë për detyrë është ta sekuencojë gjithë marrëveshjen kur dhe sa do të implementohet edhe pse Kosova i din detyrat e veta, siç i din edhe Serbia. Pra jemi në fazën e implementimit të dialogut. Do jetë më shumë një mbikëqyrës i zbatimit të marrëveshjes por megjithatë mendoj që në BE duhet të merret një vendim shumë më i vështirë se sa kjo, a do të krijohet një lidership i ri i cili merr vendim për njohje të Kosovës, sepse mendoj se pa njohjen e Kosovës nga 5 vendet e BE-së mendoj që vështirë do ketë zgjidhje për dialogun, Kosovë Serbi”, ka thënë Arifi./EO