Profesori amerikan në “John Hopkins School of Advanced International Studies”, Edward P. Joseph, në një intervistë për Deutsche Welle(DW), ka deklaruar se nisma “Open Balkan” minon “Procesin e Berlinit” dhe i jep më shumë fuqi ekonomike dhe politike Serbisë.
Ai ka thënë se anëtarët e Senatit të ShBA-së sapo kanë prezantuar legjislacionin për Ballkanin, që përfshin propozimin për “vlerësimin e nismave bashkëpunuese rajonale, siç janë nisma “Open Balkan” dhe “Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perëndimor”.
Sipas tij, rreziqet e “Open Balkan” nuk janë kuptuar mirë, edhe pse ato janë të qarta për shumë njerëz në Ballkan.
“Po, unë kam shërbyer për rreth 12 vjet në rajon, duke përfshirë vitet e luftës në të gjitha vendet e konflikteve. Si shumë të tjerë në rajon, unë vërej dinamikë e zhvillime, veçanërisht në diskursin e nacionalizmit të “Serbisë së Madhe”, të çuar përpara nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe të deleguarit e tij, nën flamurin “Bota Serbe”, ka thënë Joseph.
Ai ka theksuar se nisma “Open Balkan” nuk është vetëm një shpërqëndrim nga problemet thelbësore të rajonit të cilat janë politike, por në fakt është një rrezik që mund të çojë në përkeqësimin e këtyre problemeve politike.
Për analistin amerikan, problemet e Open Balkan mund të përmbledhen në këtë formë: “teori e dyshimtë, strukturë naive dhe pasoja të rrezikshme”.
Sa i përket mbështetjes së kësaj nisme nga vendet e tjera, ai ka thënë se ShBA po e mbështet fuqishëm “Open Balkans” në mënyra të dukshme, përfshirë eventin në Ohër, dhe në përpjekje të ndryshme diplomatike.
“Di që zyrtarë të rajonit kanë ndarë shqetësimet e tyre me zyrtarët amerikanë, duke përfshirë shqetësime serioze në lidhje me sigurinë e kërcënuar, duke i dhënë Serbisë së drejtuar nga Aleksandar Vuçiq më shumë fuqi ekonomike dhe duke e konsideruar Vuçiq si një ‘partner’, kur ai kundërshton hapur sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga ShBA dhe BE”, ka deklaruar ai.
Ndërsa pyetjes se si do të jetë e ardhmja e nismës së Ballkanit të Hapur, ai i është përgjigjur se kjo varet nga mençuria e liderëve të rajonit, të ShBA-së dhe BE-së.
“Nëse ata do ta kuptojnë se sfidat e rajonit kanë natyrë politike – madje edhe problemet ekonomike – ata nuk do ta mbështesin një regjim që i rëndon problemet politike. Është e rëndësishme të merret mendimi i ekspertëve, si për shembull, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në analizimin e situatës politike të Bosnjes, BERZH thekson problemet politike, pengesë e krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit”, ka thënë ai.
Ndërsa për përfitimet nga kjo nismë, ai ka shtuar se Serbia do të përfitojë gjithmonë më shumë se të tjerët.
Sipas tij, ky është një tjetër gabim thelbësor i “Open Balkans”, sepse mbështetësit e saj flasin sikur të gjitha ekonomitë e rajonit kanë të njëjtat përmasa dhe tipare.