Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, Andi Pajazitit.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Më datë 04.09.2023, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.P, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, ka bërë të ditur Gashi.
Ndryshe, më katër gusht, gjatë përleshjes me armë zjarri në “Bon Vivant”, ka mbetur i vdekur një person derisa ishin lënduar rreth 20 të tjerë.
I vdekur kishte mbetur 39-vjeçari, Kastriot Ramadani.
Sipas Prokurorisë, i ndjeri Kastriot Ramadani, kur e kishte vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti, e kishte nxjerrë armën e zjarrit nga brezi. Pastaj njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili ende është në arrati.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani e ka goditur me shishe qelqi në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, derisa ky i fundit pastaj me armë zjarri kishte shkrepur në drejtim të tij.
Edhe Ramadani kishte gjuajtur me armë zjarri dhe, po ashtu, edhe Nikollaj gjuan në drejtim të Pajazitit.
Nga kjo ngjarje kishin mbetur të plagosur Andi Pajaziti e Hisni Gecaj, ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili kishte vdekur në QKUK.
Po ashtu, ndaj Pajazitit janë ngritur dy aktakuza, një e datës 17 shtator 2019 dhe një tjetër e 24 qershorit 2021.
Më datë 17 shtator të vitit 2019, Gjykata në Prishtinë kishte pranuar aktakuzën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për Andi Pajazitin, për veprën penale në bashkëkryerje, ku akuzohen se kanë kryer veprën penale, “Lëndim i lehtë trupor dhe Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Edhe kjo lëndë ende nuk ka epilog përfundimtar.
Ndërsa, më datë 24 qershor 2021, nga prokuroria Gjykata kishte pranuar aktakuzë me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të pandehurin Andi Pajaziti, për veprën penale të kanosjes, dhe për të njëjtën ende nuk ka vendim gjyqësor.
Në anën tjetër, Gashi ka konfirmuar se ndaj Andi Pajazitit janë katër raste të përfunduara, tri dënime janë me gjobë, për çka edhe ka nisur procedura e ekzekutimit.