Dy shtetet mike të Kosovës, Gjermania dhe Franca i kanë shprehur hapur qëndrimet e tyre se qeveria duhet të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo pak javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku Kosova po synon anëtarësimin.
Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në lidhje me këtë në një intervistë për Telegrafin ka thënë se në raportin e Dora Bakoyannis nuk është kusht çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Raportuesja që vjen nga një vend jonjohës thotë se asnjë vendi nuk i janë vendosur më shumë kushte sesa Kosovës…”, tha ai.
Duke folur lidhur me kërkesën që të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se liderët e shtetit të Kosovës, presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari e kanë pranuar Asociacionin.
“Pra, në listën e obligimeve, në të cilat janë zotu tre liderët e shtetit të Kosovës është edhe zbatimi i Asociacionit. Unë tash nuk po e shoh arsyeshmërinë pse duhet të ndodhë kjo dhe pse duhet të kushtëzohet një e drejtë e fitume me një kusht që nuk është”, ka thënë Tahiri.
“Ku është roli i qeverisë dhe ku i parlamentit në këtë temë”, pyeti ai.
Tahiri tutje tha se si pjesë e delegacionit e kanë bërë punën e tyre në Asamblenë parlamentare.
“Ajo tani që duhet të ketë kujdes është cili do të jetë pozicioni zyrtar i Qeverisë së Kosovës…. Kurti do të mundohet që me një frymë populliste të ik nga përgjegjësia dhe fakti që e ka pranu Asociacionin. Shikoni, marrëveshja e Brukselit e ka Asociacionin brenda, Plani i Veprimit dhe marrëveshja e Ohrit e ka Asociacionin brenda. Letra e nënshkruar prej presidentes, prej tij si kryeministër i vendit dhe prej kryeparlamentarit e ka Asociacionin, pra këta e kanë pranuar asnjëherë, tani nuk e di ku është problemi. Ftesa ime për kryeministrin është që fillimisht të dalin në vendet anëtare, dhe të sqarojnë pozicionin e Kosovës, letrën që e kanë nënshkruar dhe raportin, dhe pastaj të mos e lënë Kosovën peng”, tha Tahiri.