Lëvizja “FOL” ka mbajtur tryezën me temë diskutimi “Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes “FOL”, ka thënë se ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në BE është i dukshëm.
Ajo ka shtuar se institucionet duhet ta rrisin transparencën.
Sipas saj, korrupsioni pengon progresin e reformave, ndikon negativisht në ekonominë dhe krijon një imazh të paqëndrueshëm, për çka kërkoi hapa konkrete për të luftuar korrupsionin.
Po ashtu, ajo ka thënë se Kosova duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i indërtuar kapacitete në luftën kundër korrupsionit.
“Kjo pengese jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet tona, por edhe vë në dyshim seriozitetin e angazhimit tone për vlerat evropiane. Kjo do të thotë zbatim të plotë dhe te paanshëm të ligjeve, si dhe ndëshkimi i atyre qe shkelin këto ligje, pa marrë parasysh pozitën apo statusin e tyre”, ka deklarua ajo.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezzo, ka thënë se Kosova duhet të ndërmarrë masa kundër korrupsionit dhe të ketë kulturë të transparencës dhe llogaridhënies.
“Vendimet gjyqësore dhe konfiskimi i aseteve do përkushtim. Sa i përket strategjisë kundër korrupsionit, duhet të kemi, po ashtu, edhe hetime dhe të kemi një përndjekje dhe dënime të suksesshme për kryerësit derisa të përfundojnë në burg. Kosova duhet të ndërmarrë masa kundër korrupsionit dhe të ketë një kulturë të transparencës dhe llogaridhënies”, ka thënë ai, transmeton EO.
Drejtori i Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se ka një rritje të transparencës nga ana e zyrtarëve publikë, për çka ka shtuar se pa transparencë është shumë problem të parandalohet korrupsioni.
“Kemi një rritje më të madhe të transparencës të zyrtarëve publikë. Pa transparencë është tepër problem të parandalohet korrupsioni. Në qoftë se nuk i tregojmë publikut se çfarë po tregojmë, qoftë përmes deklarimit të pasurisë, apo përmes parandalimit të konfliktit të interesit apo përmes fuqizimit të mekanizmave të sinjalizimit si mekanizëm i ruajtjes së integritetit të brendshëm dhe po ashtu si mekanizëm i raportimit të jashtëm të shkeljeve potenciale, do të thotë pa transparencë është e pamundur të ketë ndonjë sukses”, ka deklaruar ai.
Buleshkaj po ashtu ka theksua se nëse te qytetarët e vendit ekziston mendimi se ka nivel të lartë të korrupsionit në Kosovë, atëherë duhet të jetë shqetësuese.
Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit “Epik”, ka thënë se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lart ka qenë gjëja më e shenjtë në këtë proces.
Sipas tij, edhe për liberalizimin e vizave progresi në fushën e sundimit të ligjit ka qenë gjëja më e rëndësishëm për BE-në.
“Pastaj, me kalimin e kohës në çdo hap deri në fundin e tij, gjithë besoj mbani mend që kur u plotësuan të gjitha kriteret, theksi ngeli te një në fund të debatit për liberalizimin e vizave, ai i vetmi i fundit që ka ngelur i papërmbushur ishte progresi i Kosovës drejt ndërtimit të një numri të rasteve të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar ai.
Buburqe Kastrati, nga Lëvizja FOL, prezantoi të dhënat e hulumtimit “Rritja e llogaridhënies publike në procesin e integrimit evropian”.
Ajo ka thënë se qytetarët besojnë se në rrafshin ekonomik dhe të sundimit të ligjit, Kosova qëndron më prapa në raport me gatishmërinë për integrim në BE.
Sipas saj, mungesa e profesionalizmit, kapacitetet e dobëta, korrupsioni dhe klientelizmi konsiderohen si katër pengesat më të mëdha në raport me qeverisjen dhe shërbimet publike.
Ndërkaq, Lavdim Makshana, hulumtuesi i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se luftimi i korrupsioni dhe krimit të organizuar janë kriteret themelore për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).