“Me një bekim të tillë, nuk është e frikshme shkuarja në betejë”, ky është një nga postimet e fundit e gazetares ruse Daria Aslamova, pas një takimi me peshkopin Stefan të Serbisë.
Aslamova u ndalua në kufi ku ishte marrë në pyetje nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe pastaj u dëbua nga vendi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nuk e përjashtoi mundësinë që ajo ishte pjesë e shërbimit sekret rus dhe se qëllimi i saj ishte destabilizimi i kësaj pjese që edhe ashtu ka qenë e tensionuar së fundmi.
Edhe deputetët, anëtarë të Komisionit parlamentar për siguri po thonë se Moska në bashkëpunim me Beogradin kanë për qëllim të krijojnë trazira në Kosovë.
“Nuk e cilësoj si diçka të panjohura për ne. Nga momenti ku është ngritur zëri për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës kjo e fundit është shndërruar në një territor për shërbime. Me dekada punojnë shërbimet intelegjente në Kosovë për ta sabotuar. Tash ditëve të fundit kjo duhet të shihet me një sy tjetër pas edhe luftës në Ukrainë, janë të interesuar të destabilizojnë situatën në vendet e tjera. Moska dhe shërbimet e tjera janë të interesuar që të krijojnë një vatër të re të krizës që të shpërqëndrohet vëmendja nga Ukraina”, ka thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni.
“Kosova s’mundet të jetë imune ndaj tyre. Fakti se edhe kjo edhe dy të tjerë më herët që janë ndalur në Veri të vendit në periudhën kur atje po zhvillohej trazira tregojnë se këta paraqesin rrezik. Procedurat qysh janë zhvilluat ndaj saj janë bërë shpejtë”, ka thënë Hisen Berisha nga PDK.
Provokim të institucioneve kosovare e ka quajtur Ambasada e Rusisë në Beograd ndalimin dhe shpalljen si person “non grata” të ruses Daria Aslamova.
Në reagimin e tyre, ata veprimin e kanë konsideruar si një shpërfillje të parimeve demokratike, me theks te liria e mediave, duke kërkuar që OKB e misione të tjera në Kosovë të dalin me një vlerësim publik të ngjarjes.
Daria Aslamova, gazetare e afërt me pushtetin në Rusi, u ndalua në një prej pikave kufitare në veri të vendit të shtunën dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë për 5 vjetët e ardhshme.