Vera na sjell ditë të bukura, e që i pasurojnë edhe festivalet e shumta që mbahen në këtë stinë.
Muaji korrik sjell dhe festivalin e Filmit të Animuar “Anibar“ që mbahet nga 13 deri më 19 në qytetin e Pejës, e që pjesëmarrës do të jenë shumë artistë jo vetëm nga Kosova, por edhe artistë nga vende të ndryshme të botës.
Koordinatorja për komunikim e “Anibar” Festival, Rina Statovci, në emisionin Drive on D, me Donika Hysenin, në radio Dukagjini, njoftoi se tema e festivalit për këtë vit është “Mësyshi” apo Besëtytnitë, kjo për shkak se sivjet është edicioni i 13-të i festivalit dhe ky numër konsiderohet si fatkeq.
“Kjo është nisur si në hajgare, por në fund bashkërisht vendosëm që ta kthejmë në realitet. Është interesante se besëtytnitë besohen jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe në shumë vende të botës dhe kjo është pritur shumë mirë nga publiku”, ka thënë Statovci.
Në festivalin “Anibar” i cili sivjet do të mbahet në ambient të hapur, do të shfaqen më shumë se 200 filma, nga vende të ndryshme të botës, si SHBA, Franca, Holanda, Izraeli, Koreja, Rusia dhe të tjera. Janë edhe dy filma prej Kosovës, që siç thotë Statovci, është shumë mirë që ka filluar të rritet numri i të interesuarve për filmat e animuar.
Edhe sivjet në këtë festival do të ketë mysafir special, për të cilët Statovci ka thënë se do ti publikojnë gjatë javës përmes rrjeteve sociale.
Biletat për Festivalin e Filmit të animuar “Anibar”, mund ti siguroni në katër kinematë në Pejë, ku çmimi për një program filmi është 2 Euro.