ANIMA – udhëtim nëpër majat e letërsisë

Kolana ANIMA e shtëpisë botuese “Dukagjini” është një përmbledhje e librave më të mirë botërorë të letërsisë klasike që deri tash numëron tetë libra të botuar

Ilustrim





Kolana ANIMA e shtëpisë botuese “Dukagjini” është një përmbledhje e librave më të mirë botërorë të letërsisë klasike, në kuptimin gjenuin të fjalës. E pagëzuar sipas fjalës latine anima, e cila bart një kuptim ambig të shpirtit/frymës dhe të mendjes/racionales (animus), kjo kolanë është ftesë për të dy tipat e lexuesit, atë që preokupohet për përmbajtjen dhe për kënaqësinë estetike dhe atë që e sheh veprën jo vetëm si kënaqësi estetike, por edhe si thellim semiotik.

Përfshirja e veprave dhe autorëve në këtë kolanë nuk ndjek një parim kronologjik, por është “një udhëtim nëpër pyjet narrative” të letërsisë së majave, duke sjellë në këtë mënyrë autorë prej vendeve e periudhave të ndryshme, me veprat e tyre më përfaqësuese të njohura botërisht.

ANIMA, deri më tash, numëron tetë libra të botuar, me autorë si: L. Tolstoj, J. Donoso, N. Leskov, M. de Unamuno, M. Bullgakov, H. James, M. Eliade, N. Kazanxaqis, përkthyer nga Agron Tufa, Bajram Karabolli, Orjela Stafasani, Bashkim Shehu, Maniela Sota dhe Romeo Çollaku.

Ilustrim

Kolana ANIMA e shtëpisë botuese “Dukagjini” është një përmbledhje mirëfilli librash letrarë që synon ta mbajë letërsinë e mirë në qendër dhe jo në margjina. Prandaj, përveç përzedhjes së mirëmenduar të autorëve dhe veprave, rëndësi e veçantë i kushtohet edhe përzgjedhjes së përkthyesve.

Kjo kolanë, që vjen pas dy kolanave të mëhershme, me libra eseistikë, filozofikë, historikë dhe atyre nga letërsia shqipe etj., të shtëpisë botuese “Dukagjini”, shënon rikthimin e kësaj shtëpie botuese në botimin e librit artistik.

Libri i tetë në radhë i kolanës ANIMA, “Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqisit, përkthyer nga Romeo Çollaku, ka fituar çmimin e përkthimit në Panairin e 25-të të Librit “Tirana 2022”.

Kazanxaqisi, i njohur dhe i vlerësuar në gjithë botën, i çmuar dhe i adhuruar nga shumë shkrimtarë të tjerë, me letërsinë e tij, i riktheu Greqisë shkëlqimin e letërsisë antike.

“Varfanjaku i Zotit” është historia e Françeskut të Asizit, shenjtorit të pashoq, që ndryshoi rrrugën e të menduarit dhe të afruarit me zotin. Një rrëfim prekës, i thellë, i jashtëzakonshëm që, përmes shembullit të jetës së Françeskut, na fton të kthehemi kah shpirtërorja dhe kah humania. Një libër mbi përkohshmërinë e mishit dhe përjetësinë e shpirtit, por mbi të gjitha për përjetësinë e letërsisë.

Kolana ANIMA është një ftesë për vetëdijësim, që sadoqë ndryshojnë trendet letrare, ajo çka është klasike mbetet gjithnjë pjesë e një shtëpie botuese, e cila synon ruajtjen e një standardi të vlerave letrare dhe insiston në kultivimin e shijes së lexuesit.

 

 

 

 





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika