Mjedra ose qershi, cilado që është në sezonë, Albert Mustafa e sjellë për shitje para Stacionit të Policisë në Prishtinë.
Ka disa profesione e shumë vullnet për punë. Mërgimin në disa shtete Evropiane e ka shijua që në moshë të re, por nuk ka qenë prëvojë e mirë prë të.
“Kam qenë në Francë në Gjermani, edhe në Zvicër edhe jam kthy në Kosovë më mirë këtu me punu…Atje më shumë punë edhe gjumë tjetër gjë nuk ka atje”, ka thënë Albert Mustafa, qytetar.
Shumë të rinj të Kosovës pas 1 janarit do të kenë mundësi ta përjetojnë ëndrrën e dikurshme të Albertit, nga e cila ai tregon se çfarë i pret.
“Duhet me u qu në 05:00 në mëngjes me u kthy në 9-10 në mbrëmje, gjuhën nuk e dijnë shumica edhe është problem se kur janë veç shqiptarë atje nuk e mëson gjuhën. Shumica e të rinjëve kanë me dalë po ata që janë atje në të zezën krejt kanë me u kthy, me punu ktu”, ka thënë tutje ai.
Ky i ri që thotë se për një ditë nxjerr rreth 150 euro fitim e për një muaj verë mbi 6 mijë euro, nuk e preferon Evropën për t’jetuar.
Alberti tashmë e ka bindur veten, por qytetarë të moshës mbi 40 vjeç mendojnë se të rinjtë prap do të emigrojnë për në Evropë.
“Shumë i maltretojnë, i shfrytëzojnë fort, i shfrytëzojnë tepër. Tash po më duket më mirë diçka, por më herët e di që i kanë shfrytëzu shumë pagat, kanë qenë të vogla i kanë shfrytëzu me punë shumë….Qashtu po mendojmë të gjithë që kanë me ik shumë shumica, po besoj që kanë familjarë atje edhe çdonjëri shkon të njëri i familjes edhe disi e gjejnë veten”, është shprehur Hekri Buzuku, Qytetar.
Një hulumtim i bërë së fundi nga organizata “Theheadhunter” tregon se interesimi i të rinjëve për të emigruar për në Evropë është 34%.
Nga 1207 persona sa kanë marrë pjesë në këtë matje, 66% kanë deklaruar se duan të qëndrojnë në Kosovë.
Gjysma e tyre sipas raportit janë 25-34 vjet, mbi 80 të punësuar, ndërsa 71% e tyre kanë deklaruar se kanë mbi 800 euro të hyra mujore.
Udheheqëse e Operacioneve në këtë kompani thotë se mbi 50% e ankesës gjithpërfshirëse online kanë diploma bachelor.
“Këta me përgjigje po janë 46% që do të udhëtojnë brenda tre muajve të parë, nga këta po janë ata të cilët jo nuk kanë vërejt ndonjë ndryshim të mundësive të punësimit këta nuk e kanë vërejtur. Nga këta që kanë thënë se po do të dalin jashtë Kosovës, 64% kanë thënë për të gjetur vendin punës”, ka thënë Doruntinë Jakupi, Menaxhere në “Theheadhunter”.
Tjera të dhëna që janë nxjerr nga raporti, sipas Jakupit tregojnë se 82% e atyre që kanë thënë që Kosovën nuk e braktisin, kanë deklaruar se as për turizëm nuk do të dalin, por prap nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të dalin për të kërkuar punë.
Në mesin e atyre që kanë të ardhura të larta dhe është i kënaqur me trajtimin është Rinor Bajrami, i cili thotë se pagat po rriten dhe po shtohet respekti i punëdhënësve.
“(Paniku) nuk është i arsyeshëm edhe shkak është vetëm pakënanqësia, çdo ku ka nevojë për punë, por rinia nuk po dojnë me punu”, ka thënë Rinor Bajrami, Qytetar.
Më pesimist së të dhënat e anketës dhe të intervistuesit nga RTV Dukagjini, janë ekonomistët. Ish kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë se pas liberalizimit të vizave mungesa e fuqisë punëtore do ta prek sektorin privat e publik, pa përjashtim.
“E para do të kemi mungesë të fuqisë punëtore, e dyta një ndër indikatorët kyq për zhvillim ekonomik ka qenë konsumi, nuk kemi rritje të konsumit për qytetarët, definitivisht do të mbesin shkollat dhe universitet pa nxënës dhe studentë, dhe e katërta është definitivisht imazhi i Kosovës që është në pikën më kritike”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Stabiliteti politik dhe mungesa e komunikimit me bizneset sipas tij janë gabimet që po përsëriten nga udhëheqësit e shtetit, e që do t’i sjellin pasoja aftagjate Kosovës.