Antropologu kosovar: Gërmimet në Shtaval nuk sollën rezultate, në ato pika nuk kishte asgjë të dyshimtë

Pas disa javësh gërmimi në kërkim të  mbetjeve mortore të personave të zhdukur në lokacionin e Shtavalit afër Sijenicës në territorin e Serbisë, janë ndërprerë punët nga pala serbe

Në kërkim të  mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në lokacionin e Shtavalit afër Sijenicës në territorin e Serbisë

Pas vendimit për ndërprerje të gërmimeve ka reaguar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, të cilët kanë thënë se autoritetet serbe nuk i kanë ndarë të gjitha informacionet që i ka kërkuar delegacioni i kosovar.

Ndërkaq për Portali D, Ditor Haliti, antropolog mjekoligjor i cili ka qenë prezent si pjesë e delegacionit kosovar, në lokacionet ku janë kryer gërmimet, ka thënë se në ato pika nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.

Ditor Haliti, antropolog mjekoligjor

Ai ka theksuar, se kanë qenë në pritje për informata shtesë nga pala serbe, por ato informata kishin munguar.

Megjithëkëtë Haliti ka thënë se në lokacionet ku janë kryer gërmimet nuk është hetuar asgjë e dyshimtë dhe se sipas tij bashkëpunimi nga ana e profesionistëve serbë ishte korrekt.

“Deri më tani informatat që i kemi pasur kemi gërmuar në ato pikat e dyshimta të cilat kanë qenë në Shtaval, mirëpo ne kemi qenë në pritje të informatave shtesë për pikat e reja të cilat nuk i kemi pranuar. Por, sa i përket pikave të cilat janë punuar mund të themi se nuk ka asnjë dyshim se ka ndonjë mbetje mortore apo diçka tjetër”, ka thënë Haliti.

“Në këtë aspekt bashkëpunimi ka qenë korrekt me profesionistët nga pala e Beogradit, ne kemi qenë në cilësinë e vëzhguesit dhe sjellja ka qenë korrekte”, ka vijuar ai.

Më tej Haliti, ka theksuar nevojën e informatave shtesë për të cilat ka thënë se shteti i Kosovës është në pritje. Ato informata sipas tij, do të hapnin pista të reja gërmimesh.

“Krejt kjo varet nga informatat që do t’i marrim në të ardhmen, jemi në pritje për informata të reja, të cilat eventualisht do të na drejtojnë drejt pikave të reja të dyshimta, por pa pas informata nuk mund të themi asgjë, pra jemi në pritje të atyre informatave”, ka shtuar Haliti.

Në lidhje me ndërprerjen e gërmimeve Portali D, ka kontaktuar me Kryetarin e Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili e ka konsideruar “lojë të Serbisë”, ndërprerjen dhe mosbashkëpunimin e tyre me autoritetet kosovare.

Ai ka thënë se shteti serb me qëllim po e zvarritë procesin e gërmimeve.

“Lojnat e serbëve i bëjnë siç i kanë bërë në Kizhevac, gjithmonë duke e shtyrë me vite, por ato lokacionet të cilat janë marrë vesh dy grupet punuese dy komisionet edhe prokuroria e tyre edhe na i kanë kryer sot”, ka thënë Çerkini.

Drejtuesi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini

Ai ka kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare, duke thënë se duhet bërë më shumë në lidhje me temën e të pagjeturve, sipas tij ata do duhej të jepnin informata më të sakta në mënyrën që të mos zvarriten këto procese.

Gërmimet në Shtaval të Serbisë, kishin filluar pas tre vjetësh bisedime me palën serbe. Aty dyshohej se gjendej një varrezë masive me shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.

Informatat për mundësinë e një varreze masive në atë lokacion, i kishte dhënë bashkësia ndërkombëtare përmes imazheve satelitore, por pas gërmimeve gati dyjavore, nuk pati rezultate pozitive.

Në Kosovë, si pasojë e luftës së fundit, janë rreth 1 mijë e 630 persona për të cilët ende nuk dihet asgjë nga familjarët e tyre.

Ndërkaq, çështja e të pagjeturve ishte bërë temë diskutimi edhe në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në vitin 2020, atë kohë, kryeministër i Kosovës, ishte Avdullah Hoti, ishte bërë e ditur për një arritje të marrëveshjes në lidhje me të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë, por për të nuk janë dhënë detaje.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika