Për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të martën janë anuluar gjashtë seanca, të cilat kanë qenë të caktuara të mbahen këtë ditë në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal.
Këtë e ka bërë të ditur “Betimi për Drejtësi”, ndërsa arsyeja e mosmbajtjes është dorëheqja e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serbë të hënën nga pozita në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Ndryshe, vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor i paraparë të mbahet këtë të marte, në rastin ku i akuzuari D.L. po akuzohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, është anuluar për shkak të mungesës së gjyqtarit të rastit, Radosllav Markoviq.
Ndërsa, edhe gjyqtarët Veljko Vuqetiq, Dragica Jakovljeviq dhe Dragana Nikoliq kishin caktuar seanca gjyqësore për ditën e martë, por të njëjtat janë anuluar për shkak të mungesës së tyre.
Gjithashtu, gjyqtari Mentor Hajraj ka anuluar një rast “Vrasje në tentativë”, pasi në përbërjen e trupit gjykues ka munguar gjyqtari nga komuniteti serb, Zoran Paviq.
Gjyqtari Hajraj ka thënë se të gjitha palët janë njoftuar paraprakisht për shterjen e seancës të së martës.
Po ashtu, edhe gjyqtari Gëzim Ademi në Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal, ka shtyrë seancën e paraparë për të martën për shkak të mungesës së prokurores nga komuniteti serb, si dhe për shkak të mungesës së të akuzuarit.
Zyrtari për informim në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë se prokurorët serbë të kësaj prokurorie i kanë dorëzuar dorëheqjet përmes email-it në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa stafi administrativ serbë dorëheqjet i kanë dorëzuar në administratën e prokurorisë.
Ndërsa, sipas Raportit Vjetor për vitin 2021 të Prokurorit të Shtetit, numri i prokurorëve të komunitetit serb është 14 apo shprehur në përqindje i bie diku 7.69 për qind. Ndërkaq, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë janë rreth 19 gjyqtarë serbë.
Edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe e kanë dorëzuar të hënën mandatin e tyre edhe formalisht në Kuvendin e Kosovës.
Ky largim i tyre ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.