Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se është anuluar konkursi i fundit ku ishin paraparë të punësoheshin 127 persona.
Në njoftimin e KEK-ut, thuhet se komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit i përbërë nga ekspertë të pavarur ligjorë, kanë vendosur që të anulohet procesi i rekrutimit të punëtorëve.
Të gjitha fazat e rekrutimit do të përsëriten, duke filluar nga rezultatet e testit me shkrim dhe po ashtu intervistat me gojë.
“Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Tutje në njoftimin e KEK-ut, thuhet se të gjithë kandidatët e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe të njëjtit nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkursin e radhës.
Në njoftimin e KEK-ut thuhet se procesi që do të ripërsëritet do të jetë transparent.
Më pesë prill të vitit 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar për inicimin e hetimeve lidhur me punësimet në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), kjo pas dyshimeve për punësime në baza familjare e partiake.
Ndryshe, të martën e pesë prillit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kishte akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje(LVV) mbi pretendimet se e njëjta, kishte punësuar familjarë në KEK.
Kjo parti ka kërkuar anulimin e konkursit, derisa kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj komisionit vlerësues të konkursit të KEK-ut.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, teksa kishte reaguar mbi procesin e aplikimit për punë, ishte shprehur kritik mbi veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për nepotizëm masiv.
Sipas kryetarit të LDK-së, ky aplikim nuk ka pasur rëndësi, ngase siç ka theksuar ai, vendet e punës ishin të parandara për familjarët e partisë në pushtet.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte mohuar në mënyrë kategorike se të punësuarit e fundit në KEK kanë lidhje familjare apo janë militantë të LVV-së.