Shërbimi Korrektues i Kosovës do të duhet të hap sërish një tender të njëjtë, me të cilin synon rritjen e kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Kjo për shkak se tenderi i hapur në fund të vitit të kaluar është anuluar, për shkak se nuk ka pasur asnjë operator të përgjegjshëm.
Nga ShKK-ja kanë thënë se janë në përgatitje të rishpalljes së tenderit.
“Pezullimi i një aktiviteti të prokurimit bëhet në bazë të Rregullores nr. 002/2024, e cila ndryshon dhe plotëson Rregulloren nr. 001/2022 për Prokurimin Publik. Sipas nenit 61 të kësaj rregulloreje, çdo herë që paraqitet një kërkesë për rishqyrtim, aktiviteti i prokurimit pezullohet. Në këtë rast, gjatë fazës së tenderimit, para hapjes se ofertave kemi pranuar dy kërkesa për rishqyrtim, ndaj procesi është pezulluar deri në shqyrtimin e tyre. Pas kësaj faze është bërë hapja e ofertave, ku është formuar komisioni për vlerësim të ofertave. Komisionin i Vlerësimit të ofertave ka rekomanduar që në bazë të nenit 62 të Ligjit për Prokurimin Publik, të anulohet aktiviteti i prokurimit. Arsyeja e anulimit është se nuk kemi pranuar oferta të përgjegjshme dhe ofertat e dorëzuara kanë tejkaluar buxhetin e autoritetit kontraktues për këtë aktivitet. Së shpejti, ky aktivitet do të rishpallet. Shuma e planifikuar për këtë projekt është 1,100,000.00 euro. Po ashtu, ju njoftojmë se rritja e kapaciteteve në këtë institucion është thelbësore, duke pasur parasysh natyrën dhe rëndësinë e rasteve që trajtohen”.
Sipas Shërbimit Korrektues, vlera e tenderit është 1 milionë e 100 mijë euro, dhe se rritja e kapaciteteve në këtë institucion që pothuajse çdo herë është në limite të kapaciteteve, është thelbësor.
Avokati Qendrim Arifi thotë se në rastet kur ka anulime të tilla, duhet që Autoriteti Kontraktues t’i rishikojë kërkesat që ka.
“Është gabim të rishpallet aktiviteti i ri me kërkesa të njëjta posaçërisht lidhur me kapacitetin teknik dhe profesional të operatorëve ekonomik, dhe duhet të shikohet mjaft mirë edhe vlera e parashikuar shpesh herë kur vlera e parashikuar është e ulët me krahasim me punën që kërkohet në aktivitetin e prokurimit, pa dyshim që kjo zbraps operatorët ekonomik”, ka deklaruar Arifi.
Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, trajtohen rastet e personave të dyshuar apo të dënuar për vepra të ndryshme penale, e që gjykata iu obligon trajtimin psikiatrik.
Aty realizohen edhe ekspertizat psikiatrike, e që përfaqësues të këtij institucioni, vazhdimisht janë ankuar për numër të lartë rasteve e mungesë të kapaciteteve, meqë aty janë vetëm 30 shtretër.