Kuvendi Komunal i Prishtinës ka anuluar vendimin për shkëmbimin e pronës private në Badoc me pronë publike komunale në zonën e “Prishtina e Re”.
Kuvendi Komunal me 27 vota pro ka vendosur që ta anulojë vendimin për shkëmbimin e pronave edhe pse e kishin miratuar vitin e kaluar.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin lëshuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal para votimit të vendimit.
Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të anuluar vendimin e datës 21 dhjetor 2023 për këmbim të pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me prona në lagjen “Prishtina e Re”.
Këmbimi i kësaj prone ishte një prej arsyeve pse PDK-ja, partner i koalicionit me LDK-në në Prishtinë, bojkotoi tri seanca me radhë të Kuvendit Komunal nën arsyetimin se nuk po iu jepej hapësirë për kontribut në hartimin e pikave të rendit të ditës.
Në fjalën e tij, Rama ka theksuar se ky vendim ka rrjedhur nga një proces që ka filluar nga qeverisja e kaluar dhe jo nga Përparim Rama.
Ai potencon se ky proces ka rrjedhur nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal.