Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e 10 të dënuarve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të cilët ishin shpallur fajtor për bixhoz të paligjshëm.
Më 18 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Sefer Berisha, Artan Quni dhe Ardian Hasani, duke i dënuar me 11 vjet burgim (së bashku). Kurse, të akuzuarit Qun Mengjiqi dhe Mentor Kika janë liruar nga akuza, e për Orhan Elshanin ishte marrë aktgjykim refuzues.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka aprovuar si të bazuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të akuzuarve: M.M, av.Florent Latifaj, F.M, av.Naim Rudari, G.N, av.Salih Mekaj, V.H, av.Lule Bilalli Imeri, A.R, av.Mevlude Qerimi, F.B, av.Haxhi Dërguti, Rr.B, av.Flutra Hoxha, S.B, av.Shyhrete Shalaku-Grajqevci, A.Q, av.Kastriot Feka dhe A.H, av.Rrahim Ajeti, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.40/21 i datës 16.11.2024, për pjesën dënuese nga pika I deri VIII, kthehet në rigjykim e rivendosje”, thuhet në aktgjykimin e Apelit që është nxjerrë në dhjetor 2024.
Për këtë aktgjykim, mbrojtësit e të akuzuarve kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit sa i përket pjesës në të cilën janë dënuar Mentor Maqani dhe të tjerët, për të cilën Apeli ka aprovuar si të bazuar, ndërsa pjesë ku Mengjiqi, Kika janë liruar nga akuza dhe për Elshani është refuzuar, aktgjykimi mbetet i pandryshuar.
“Aktgjykimi në pjesën liruese dhe refuzuese në pikat IX, X, XI mbetet i pa ndryshuar”, thuhet në vendim.
Sipas mbrojtësve të të akuzuarve, aktgjykimi i Themelores përfshin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal. Duke kërkuar kështu që klientët e tyre të lirohen nga akuza ose që rasti të kthehet në rigjykim.
Apeli, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore të mbrojtësve të të akuzuarve gjeti se ankesat mbrojtësve janë të bazuara, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale të aktgjykimit të ankimuar.
“Gjykata e Apelit gjen se qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtëseve se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.2, pika 2.7 të KPP-së, për faktin se dispozitivi i aktgjykimi është i pa qartë, i përgjithësuar, jo konkret, nuk është në pajtueshmëri me arsyet e dhëna”, thuhet në vendimin e Apelit.
Tutje, në vendim e Apelit thuhet që, në arsyetimin e Themelorës nuk janë paraqitur asrye të mjaftueshme mbi faktet vendimtare lidhur mbi ketë çështje, ashtu që duke vepruar në këtë mënyrë gjykata nuk ka kryer obligimin e saj ashtu siq është përcaktuar në KPP-së.
Sipas arsyetimit të Apelit, vepra penale e “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” përpos që është e rregulluar me Kodin Penal ajo është e rregulluar edhe me ligj të veçantë, andaj me rastin e arsyetimit të saj, aktgjykimi duhet të përmbaj referenca në dispozitat konkrete të këtij ligji.
Po ashtu, Apeli në vendimin e saj thekson edhe paqartësinë e dispoztivit të aktgjykimit të shkallës së parë, e cila konsiston në mos përcaktimin e dispozitës së caktuar specifike të ligjit për lojrat e fatit, konkretisht se cilat dispozita të këtij neni nuk janë respektuar nga të akuzuarit.
“Kolegji vëren se nga faktet e çështjes rezulton se veprimet inkriminuese në përshkrimet e pjesës dënuese të aktgjykimit, për të gjithë të akuzuarit janë ndërtuar në të njëjtën mënyrë duke përdorur frazën “se të akuzuarit vepruan në kundërshtim me ligjin për lojërat e fatit – pa përcaktim të dispozitës konkrete”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Gjithashtu, Apeli ka theksuar edhe një çështje sa i përket përmbajtjes inkriminuese në pjesën e dispozitivit dhe arsyetimit si në aktakuzë ashtu edhe në aktgjykim.
Ndërsa, sa i përket pjesës ku Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, janë shpallur fajtorë, për shpërndarjen e aparateve në lokacionet e lojërave të fatit të cilat nuk kishin licenca, sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i Themelores nuk shënohen të dhëna të rëndësishme në dispozitiv të aktgjykimit.
“Nga kjo paraqitje e fakteve në këtë mënyrë, nuk shënohen të dhëna të rëndësishme në dispozitiv të aktgjykimit, siç janë: sa është numri i aparateve të falsifikuara, sa prej tyre ishin të duplifikuara dhe treplifikuara, sa ishin pa numra serik, ku janë gjetur saktësisht. Të dhëna që do të saktësonin dhe individualizonin sasinë e veprimtarisë inkriminuese të këtyre të akuzuarve, për të cilën janë shpall fajtor dhe dënuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Bazuar në këto gjetje, Apeli ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që në rigjykim të bëjë evitimin e shkeljeve të dispoztiave procedurale, të specifikoj se cilat dispozita konkrete të ligjit për lojërat e fatit janë shkelur, të kujdeset që inkriminimi në dispozitiv të aktgjykimit të konkretizohet dhe të përfshihen faktet e rëndësishme që pasqyrojnë saktësisht veprimtarinë inkriminuese të akuzuarve.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast janë edhe: Shpëtim Rexha, Fatmir Shala dhe Shpëtim Babaj, por për shkak se të njëjtit gjenden jashtë shtetit dhe për hir të ekonomizimit dhe përfundimit të çështjes penale ndaj të tjerëve, kjo çështje ishte veçuar ndaj tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpejtim Rexha, Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Qun Mengjiqi, Shpetim Babaj, Mentor Kika, Sefer Berisha, Fatmir Shala, Artan Quni, Ardian Hasani dhe Orhan Elshani.
Sipas aktakuzës, thuhet se duke vepruar si grup kriminal kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Sipas aktakuzës, të lartcekurit, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët, kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për lojërat e fatit.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha fillimisht kishte siguruar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën nën firmën “Market Plus” e pastaj aksionet ia kishte bartur të pandehurit Flakron Maqani, i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”, ashtu që sipas marrëveshjes me të pandehurit e tjerë të cilët kanë vepruar në pika të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, në vazhdimësi dhe pa licencë dhe pa leje pune të organeve kompetente, kanë siguruar dhe shpërndarë aparate të ndryshme të lojërave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot” “Apec”, “Merkur” si dhe aparate të tjera të lojërave si “Keno”, aparate pa numra serikë, aparate me numra serikë të falsifikuar.
Përmes kësaj veprimtarie, sipas aktakuzës ata kanë fituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme në shumë prej 15,337.63 eurove.
Tutje në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha, në cilësinë e pronarit “Market Plus” në vitin 2009, me dashje dhe vetëdije ka regjistruar biznesin për organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit dhe pas regjistrimit në bashkëpunim me të akuzuarit Flakron e Mentor Maqanin dhe Granit Nikqin, aparatet e falsifikuara i kishin shpërndarë nëpër Kosovë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Visar Haxhijaj, Orhan Elshani, Rrahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi, Arbent Ramadani, Artan Quni, Shpëtim Babaj, Ardian Hasani, Fatmir Shala, Sefer Berisha, Mentor Kika dhe Granit Nikqi, nga koha e pacaktuar deri në datën e kontrollit nga policia, të cekura në aktakuzë, në cilësinë e menaxherëve të lokaleve të ndryshme, kishin ushtruar veprimtari të paligjshme të bixhozit, ku me rastin e kontrollit u janë konfiskuar disa aparate të lojërave të fatit. /BetimipërDrejtësi