Apeli refuzon kërkesën e mbrojtjes, mbetet ende në paraburgim Nagip Krasniqi

Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, e cila ka kërkuar lirimin e tij nga paraburgimi, kështu duke e lënë Krasniqin ende në paraburgim

FOTO: EO

Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), tashmë të pezulluar, Nagip Krasniqi, nga paraburgimi, kështu duke e lënë atë ende në paraburgim.

Mbrojtja ka kërkuar që Krasniqi të lirohet nga paraburgimi dhe atij t’i caktohet një masë më e butë me qëllim që të sigurojë praninë e tij në procedurën penale si dhe në të njëjtën kohë, të respektohen parimet themeltare të drejtësisë.

Por, kjo kërkesë është refuzuar nga Apeli, pasi ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes nuk janë të qëndrueshme lidhur me mungesën e dyshimit të bazuar.

Dukagjini në aktvendimin që ka siguruar thuhet se Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të pandehur të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të pandehurit Nagip Kraniqi, av. Taulant Ferizi, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special PPPS.nr.20/2023 i datës 20.04.2023, VËRTETOHET”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në arsyetimin e Gjykatës thuhet se “Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special PPPS.nr.20/2023 i datës 20.04.2023, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.36/2023, të datës 20.04.2023, për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurit: Nagip Krasniqi, duke i caktuar masën e paraburgimi, në kohëzgjatje prej 1 (një ) muaj, ashtu që sipas këtij aktvendimi të pandehurit Nagip Krasniqi, paraburgimi do t’i zgjasë deri me datën 19.05.2023, në harmoni me nenin 184 paragrafi 1, pika 1.1 si dhe 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK- për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale si në hyrje të këtij aktvendimit. Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit”.

Gjykata vlerëson se ekziston dyshimi se i pandehuri prej vitit 2022 e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ku më 26 janar të këtij viti ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Në bazë të kësaj kërkese, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri prej vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e shefit ekzekutiv të KEK-ut, me datën 26 janar 2023 ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5 i emërtuar si ‘Riparimi i kapitalit emergjent i kaldajës blloku A5’ me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litwin SA, me çmim prej 3.495.392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës, me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik përkundër faktit që paraprakisht komisioni vlerësues i tenderit kishte rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit me arsyetimin se operatori nuk i është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta, për çka Krasniqi kishte urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit, Ymer Dragusha, që të nënshkruante këtë kontratë e cila duke mos iu ekzekutuar Korporatës i ka shkaktuar dëme dhe pasoja të pariparueshme financiare në dëm të buxhetit”.

Tutje thuhet se Gjykata ka gjetur se gjatë vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën, pasi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, më 28 mars, ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurorimit në emër të tenderit “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”.

“Përkundër rekomandimit të KRPP, në bazë të të cilit tenderi duhet të rivlerësohej dhe të shpallej tender i hapur në vlerë pre 60 mijë euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës dhe përfitim të kundërligjshëm të operatorit të lartpërmendur ekonomik”, thuhet në aktvendim.

Ndërkaq, Mbrojtja pretendon se i pandehuri ka vepruar konform dispozitave të përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik.

Gjithashtu, mbrojtja pretendon se lidhur me aktivitetin e prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”, është inekzistent, meqë e tërë  procedura e zhvilluar ka qenë në përputhje me dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurimit Publik.

 

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika