Apeli vërteton aktgjykimin dënues ndaj ish-personave zyrtarë të akuzuar për korrupsion

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e ushtrimit të korrupsionit nga një ish-gjyqtar dhe ish-zyrtar i Policisë së Kosovës është vërtetuar nga Apeli i cili e ka përkufizuar akuzën si "të qartë, të kuptueshme dhe korrekte"

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte dënuar për korrupsion Rafet Ismajlin, ish-gjykatësin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashin, ish-policin, me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë.

Ky vendim i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është vërtetuar më 26 maj të vitit 2022, nga kolegji i Gjykatës së Apelit të cilët e kishin cilësuar si të pabazë ankesën e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Rafet Ismajli dhe mbrojtësit të tij, avokatit Naim Rudari, dhe njëherësh, edhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Blerim Gashi, avokatit Ramë Gashi.

Sipas vendimit të Apelit të siguruar nga ‘‘Betimi për Drejtësi’’, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase sipas gjykatës së shkallës së dytë, ky aktgjykim është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret.

Në vazhdim të arsyetimit të këtij vendimi nga Gjykata e Apelit, thuhet se sipas shkresave të lëndës, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor.

Tutje, është theksuar se në këtë çështje penale nuk ka mbetur pa u vërtetuar asnjë fakt vendimtar.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar drejtë rrethanat të cilat kanë ndikuar në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.

Ndryshe, edhe një herë, për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke u dhënë dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin, veç e veç.

Ndër të tjera, Gjykata e Apelit të Kosovës më 22 prill 2021 e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë duke e kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Rafet Ismajlit, gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashit, zyrtar policor.

Sipas kësaj aktakuzës, Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti, është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

Njëherësh, sipas aktakuzës, më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaji për në Prishtinë, Ismajli ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 eurosh, me qëllim që ai të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 26 korrikut 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj.

Ndërsa sipas prokurorisë, Blerim Gashi, në cilësi të zyrtarit në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

I njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që ai të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 26 korrikut 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.

 

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, ishte arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit.

Gjykatësi Ismajli ishte pezulluar nga detyra një ditë para arrestimit, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika