Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, përmes të cilit Ilir Haxhiaj ishte dënuar me 15 vjet burgim efektiv, për akuzën se ushtroi dhunë në ditën kur i vdiq bashkëshortja.
Haxhiaj akuzohej se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij H.D, teksa kishte qenë duke vozitur, kishte ndalur makinën, kishte nxjerrë nga vetura me forcë tani të ndjerën dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe pasi tani e ndjera ishte rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti. Më pas, H.D., kishte vdekur në QKUK, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit, me vendimin e 25 prillit 2023, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Haxhiaj, avokatit Shkëlzen Sopjani, ndërsa aktgjykimin e 16 janarit 2023, të Gjykatës Themelore në Prizren e ka vërtetuar.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, se janë vërtetuar faktet vendimtare për veprën penale lëndim i rëndë trupor për të cilin është shpallur fajtor i akuzuari.
“Gjykata e Apelit, ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesës së ushtruar përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe ka ardhur në përfundim se i njëjti nuk përfshihet me shkeljet e pretenduara, të parapara në nenin 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset edhe sipas nenit 394 të KPPK. Kolegji ka ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë, ka vërtetuar të gjitha faktet vendimtare, të cilat e karakterizojnë veprën penale lëndim i rëndë trupor, nga neni 186 par.5 lidhur me par.1 të KPK, për të cilin është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim përkatës ligjor”, thuhet në vendimin e Apelit.
Apeli ka vlerësuar se në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka vërtetuar gjendjen faktike.
Sipas Apelit, shkalla e parë, me rastin e marrjes së vendimit ka marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese që ndikojnë në marrjen e një vendimi sa më të drejtë dhe të arrihet qëllimi i dënimit.
“Me rastin e marrjes së vendimit për dënimin, gjykata e shkallës së parë ka pasur parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në marrjen e vendimit sa më të drejtë, duke respektuar dispozitat ligjore të cilat u referohen, sikurse rrethanave lehtësuese, po ashtu edhe atyre rënduese, sikurse që janë se me dënimin e shqiptuar pritet që të arrihet efekti dhe qellmi i të njëjtit. Si rrethana lehtësuese rezulton se ka pasur parasysh se i akuzuari është baba i pesë fëmijëve, i gjendjes së varfër ekonomike, kurse si rrethanë rënduese ka pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, e cila ka qenë shumë e vrazhdë, sepse nga kjo vepër penale ka humbur jetën një person – ish bashkëshortja, si dhe shkallën e intensitetit të kryerjes së të njëjtës”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Haxhiaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren në shkurt të vitit 2021 dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vjetësh.
Mirëpo, Gjykata Supreme sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të avokatit mbrojtës, rastin e ka kthyer në rigjykim./BetimipërDrejtësi.