Agresioni rus në Ukrainë ka prodhuar një dridhje të fortë të rendit botëror, duke i shtyrë kështu shtetet që t’i rimendojnë pozicionet e tyre.
Kosova, si një shtet i ri dhe i vogël, e ka jetike pjesëmarrjen në organizata shumëpalëshe, në mënyrë që të arrijë stabilitet politik në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2022, Kosova filloi të ngarendë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e një ndër to, ajo në Këshillin e Evropës.
Aplikimin e Kosovës në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e bëri ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, më 12 maj të këtij viti.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, kishte thënë Gërvalla nëpërmjet një video-adresimi.
Nëse Kosova arrin sukses me aplikimin për të qenë anëtare në Këshillin e Evropës, kjo do të sillte shumë përfitime për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte arritje e madhe për Kosovën, për avancimin e vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Për Leonora Kryeziun, e cila drejton Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), përfitimet për Kosovën nga anëtarësimi në KiE janë të shumta.
Sipas Kryeziut, përpos çasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), dhe përfaqësimit në Asamblenë Parlamentare, KiE ka mekanizma të shumta, të cilat vendet anëtare i kanë në dispozicion për t’i shfrytëzuar dhe për t’u bërë pjesë.
Siç theksonte ajo, marrë parasysh sistemin joefikas të drejtësisë e zvarritjen e rasteve, institucionet e vendit mund të përballen me raste të shumta, në të cilat nëse vërtetohet shkelje, Kosova do të duhej të paguante dëmshpërblim për secilin rast të shkelur.
“Me anëtarësim për herë të parë hapen mundësitë për punësim/angazhim të kosovarëve nëpër institucione të Bashkimit Evropian. Si çdo shtet tjetër, Kosova mund të ballafaqohet me ankesa të shumta drejtuar kundër saj në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut”, ishte shprehur Kryeziu.
Tjetër sfidë për Kosovën, ajo e konsideron të jetë edhe mungesa e përvojës diplomatike dhe kuadrove profesionale për angazhim në një organizatë si KiE.
“Duhet përgatitje dhe ngritje të kapaciteteve për të marrë përsipër përfaqësimin në këtë organizatë”, shtonte ajo.
Drejtoresha ekzekutive e PIPS, Leonora Kryeziu, konsideronte se aplikimi i tanishëm i Kosovës për t’u bërë pjesë e KiE-së, ka ndodhur në kohën e duhur.
Kjo, sipas saj, për vetë faktin gjeopolitik dhe mosprezencës së Rusisë në këtë organizatë.
Ajo ka theksuar se aplikim nuk është dërguar më herët për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, të cilët “nuk kanë qenë të gatshëm që ta përkrahin një proces të tillë”.
“Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka pasur mundësi të aplikojë për anëtarësim në KiE, një aplikim ka qenë i përgatitur në kohën kur Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Bankën Botërore dhe IMF. Përveç kësaj, edhe proceset e brendshme politike dhe jostabiliteti politik në vend, ka bërë që Kosova të mos jetë e gatshme për implementimin e reformave”, kishte thënë ajo.
Ndonëse si proces mund të zgjasë me vite, Kryeziu beson se ai do të përfundojë me sukses për Kosovën. Megjithatë, siç thotë ajo, kjo varet edhe nga përkrahja e partnerëve, të cilët janë kyç në përfshirjen për diskutim të aplikimit të Kosovës.
Çfarë është Këshilli i Evropës?
E themeluar në vitin 1949, kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Organizata ka 47 shtete anëtare dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë eurosh.
Për t’u anëtarësuar, Kosovës i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare. Shpresat për pranim janë shtuar pas largimit të Rusisë nga ky mekanizëm.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe t’i kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Si organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçe të Këshillit janë, Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Për këtë rrugëtim, Kosova kishte marrë mbështetjen edhe të shteteve të fuqishme, SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Finlandës.
SHBA-ja, Gjermania e Britani e Madhe e përkrahën aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën, pasi ajo zë vendin e merituar si një shtet sovran dhe i pavarur përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike – përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Kështu kishte deklaruar për Portali Dukagjini, zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Erik Brassil, duke shtuar se vendimi për anëtarësim kërkon pëlqimin e shteteve anëtare të KiE-së.
“Vendimi për anëtarësim në këto programe dhe organizata kërkon pëlqimin dhe miratimin e këtyre institucioneve dhe shteteve të tyre anëtare, jo vetëm të SHBA-së”, kishte deklaruar Brassil.
Pos, SHBA-së, pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, ishin deklaruar edhe Gjermania dhe Britania e Madhe.
Qeveria e Gjermanisë kishte konfirmuar se e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputeti gjerman, Knut Abraham, kishte deklaruar se ka pyetur ekzekutivin e tij nëse do ta mbështeste aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm, dhe se përgjigjja ka qenë pozitive.
Abraham kishte publikuar një letër, ku thuhej se Qeveria Federale e Gjermanisë “mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.
“Është e rëndësishme të qëndrojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës”, thuhej në letrën që ka shpërndarë deputeti Abraham.
Po ashtu, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kishte përshëndetur aplikimin e Kosovës për në KiE, teksa kishte thënë se mezi pret ta shohë Kosovë në këtë organizatë.
“Mezi presim ta shohim Kosovën si pjesë e KiE, familje që punojnë së bashku për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i takon Këshillit të Evropës”, kishte shkruar ai në Twitter.
Po ashtu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, i kishte uruar sukses Kosovës në aplikimin e saj në Këshillin e Evropës.
Abbot, përmes një postimi në Facebook, aplikimin e Kosovës e kishte cilësuar si një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj, për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar.
“Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj”, kishte shkruar ai.
Kosova ka marrë edhe mbështetjen e Finlandës.
Sekretarja e Shtetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Johnna Sumuvuori, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, kishte njoftuar për takimin që ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.
Sumuvuori kishte thënë se sa i përket çështjes së anëtarësimit të Kosovës në KiE, Finlanda e përkrah plotësisht Kosovën në rrugën e saj evropiane.
”Diskutime të shkëlqyeshme me zëvendësministrin e Kosovës në çështje të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Finlanda përkrah plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, kishte shkruar sekretarja e shtetit të Finlandës.
Ndërkaq, ashtu siç edhe pritej, kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb kishte thënë se me këtë veprim, Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë të Brukselit.
“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje dhe në një psikozë konflikti, por të japim një përgjigje të fortë, në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, kishte theksuar Vuçiq.
Marrëveshja e Washingtonit, apo Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.
Edhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, teksa kishte folur për çështjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kishte paraqitur qëndrimin dhe argumentet e Serbisë, që sipas tij, “konfirmojnë se do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Kështu kishte thënë ai, pas takimit me presidenten e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tini Cox, në qytetin e Kretës në Greqi.
“Do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me vlerat e përfaqësuara nga kjo organizatë ndërkombëtare, siç janë të drejtat e njeriut”, ishte shprehur Daçiq.
Ndërkaq, deri më tani, Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato më të rëndësishme financiare dhe sportive.
Kosova është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës Botërore të Doganave, Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, Federatës Botërore të Futbollit, Federatës Evropiane të Futbollit dhe komitetit Olimpik.
Ndërsa, Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), Agjencisë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).