Nemanja Staroviq, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, ka reaguar pas ceremonisë së nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Me anë të një postimi në Twitter, Staroviq, ka shtruar pyetje ironizuese nëse Kosova “mund të aplikojë në NASA për një fluturim në hënë”.
Ceremoninë e nënshkrimit të kërkesës për anëtarësim në BE, Staroviq e ka cilësuar si një parodi.
“Autoritetet në Kosovë sapo kanë dorëzuar një kërkesë për anëtarësim në BE. Në pamje të parë duket si një parodi. Një vend që nuk qeveriset nga OKB-ja, duke u anëtarësuar në BE shpërfill plotësisht Kartën e OKB-së, Traktatin e Lisbonës, etj. Pyes veten nëse mund të aplikojë në NASA për një fluturim në Hënë?”, ka shkruar ai.
#Kosovo* interim authorities just applied for EU membership. Seems like a parody at first glance. Not-a-country administered by the UN joining the EU is in full disregard for the UN Charter, Lisbon Treaty etc.
Makes me wonder if I could apply to NASA to fly to the Moon? pic.twitter.com/xB357kILbP— Nemanja Starović (@nstarovic) December 14, 2022
Ndryshe, Kosova ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mërkurën e 14 dhjetorit.
Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit.
Presidentja Osmani e cilësoi si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun evropian.
“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme”, tha Osmani, duke shtuar se aplikimi për anëtarësim në BE është një hap drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të Kosovës.
Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson presidencën e bllokut evropian.
Kryeparlamenti Konjufca ka thënë se për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi në BE është i rëndësishëm, sepse, sipas tij, blloku ofron stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet zhvillimor.
Ai tha se pret që pas dorëzimit të aplikimit, Komisioni Evropian të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat, dhe më pas shtetet anëtare të bllokut të mbështesin anëtarësimin e Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se ky “moment historik” synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.
“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, andaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit, i domosdoshëm”, ka thënë Kurti.