A po shndërrohet Kosova në vend tranzit për trafikimin e drogës?

Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është në trend të rritjes. Se a po shndërrohet Kosova në vend atraktiv për trafikimin e drogës, ekspertë të sigurisë e ish-policë të antidrogës për Portalin Dukagjini kanë thënë se "aksionet e shumta dhe sekuestrimi i drogës nuk do të thotë që droga lulëzon në atë vend, por është një akt pozitiv që tregon se bartja e tyre po parandalohet"

Foto; Blerim Lipa

808 operacione antidrogë janë zhvilluar në vitin 2022.

Ato realizohen nga Njësia e Antidrogës në kuadër të Policisë së Kosovës, që aktivitetet po i vazhdon edhe në vitin 2023.

Madje në një operacion të zhvilluar ditë më parë arritën që ti kapin hiç më pak se 107 kilogramë substancë narkotike.

Në kuadër të aktiviteteve operacionale për këtë rast u arrestua edhe një person, shtetas i Serbisë.

“Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë”. Po ashtu, në cilësi të provave, sipas policisë, thuhet se janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë”, thuhej në njoftim.

Në njoftimet e përditshme që Policia e Kosovës u dërgon mediave, gati çdo ditë raportohen raste të “blerjes, posedimit, shitjes dhe shpërndarjes së paautorizuar të substancave narkotike”.

Këtë vit aksione të shtuara kishte edhe në qytetet veriore të Kosovës.

Policia e Kosovës për Portalin Dukagjini ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 janë realizuar 808 operacione antidrogë, në të cilat është sekuestruar 662 kilogramë e 668.36 gramë marihuanë, 246 kilogramë e 665.56 gramë heroinë, 4 kilogramë kokainë dhe 24 mijë e 502 bimë të kanabisit.

Ndërsa fara të kanabisit gjithsej 226.92 gramë, ekstazi – 281,52 gramë ndërsa droga të tjera – 824 gramë.

Ndërkaq në vitin 2021 janë realizuar 726 aksione ku janë sekuestruar 499 kilogramë e 548.96 gramë marihuanë, 414 kilogramë e 958.2 gramë kokainë, 3 kilogramë e 642.31 gramë heroinë ndërsa 26.6 gramë hashash.

Ndërsa bimë të kanabisit janë sekuestruar gjithsej 2380, ndërsa fara të kanabisit 242.87 gramë +50, 74.48 gramë ekstazi dhe 100 kilogramë e 716.49 gramë droga të tjera.

Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është në trend të rritjes, ndërsa konsumues gjithnjë e më të shpeshtë po bëhen adoleshentët.

Se sa shqetësuese është bërë rritja e përdorimit të substancave narkotike në Kosovë në një prononcim për Portalin Dukagjini, defektologu, Safet Blakaj nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labyrinth” ka thënë se droga e tipit “Kokainë” është ajo që është po përdoret më së shumti në kohët e fundit sidomos nga të rinjtë.

Blakaj ka bërë të ditur se mosha mesatare për përdorimin e drogave në Kosovë është grupmosha nga 14 deri në 17 vjet, ndërsa 22 vjet – mosha mesatare për përdorimin e “Kokainës”.

Defektologu, Safet Blakaj

“Shqetësuese është rritja e përdorimit të tipit të drogës Kokainë. Mosha mesatare ka rënë në 16 vjet, e fillimit të përdorimit të drogës”, ka thënë Blakaj teksa ka shtuar se “kokaina në vitin 2022 ka rënë dukshëm në moshën 22 vjeçare, ndërsa para katër viteve ka qenë 40 vjet”.

Sipas tij, faktorët që i shtyjnë të rinjtë të marrin drogë, janë: dëshira për t’i takuar grupit, kureshtja dhe qasja e lehtë në substanca të tilla.

Ai ka thënë se tashmë kanë filluar të futen drogat e reja të dizajnuara në Kosovë e që paraqesin komplikim, pasi që përveç mangësisë së njohurive po ashtu edhe identifikimi i atyre substancave është sfidë.

Ndërsa i pyetur se a është Kosova vend tranzit i narkotikëve drejt Perëndimit apo është shndërruar Kosova në vend destinimi, Blakaj ka thënë se më shumë shqetësuese është që drogat përdoren edhe brenda Kosovës.

“Nuk na shqetëson që është tranzit, na shqetëson më shumë drogat që janë brenda Kosovës. E di që Policia dhe organet e tjera të sigurisë nuk kanë lejuar të bëhet kultivim i drogave në Kosovë e po ashtu edhe deponim”.

Ai ka thënë ndër të tjera se nuk ka shumë të dhëna se Kosova është pjesë e aktiviteteve kriminale të trafikimit të drogave.

Ndërkaq eksperti i sigurisë, Avni Islami për Portalin Dukagjini ka thënë se bartja e substancave narkotike është krim tranznacional i cili nuk i përket vetëm një shteti edhe Kosova mund të jetë vend tranzit dhe do të jetë në të ardhmen.

“Krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore, bartja e substancave narkotike është krim tranznacional i cili nuk i përket vetëm një shteti edhe Kosova mund të jetë vend tranzit dhe do të jetë në të ardhmen sepse nuk është e mundur të izolohet nga Ballkani pasi kriminelët e lypin vendin më të shkurtë dhe më të sigurt për të kaluar drogat në vende të treta”, ka thënë Islami.

Avni Islami, ekspert i sigurisë

Sipas tij, arrestimet e fundit në aksionet e policisë tregojnë se ata që janë përgjegjës janë duke punuar në atë drejtim për hetimin dhe konfiskimin e drogës.

“Konfiskimi i drogës nuk do të thotë që droga lulëzon në atë vend, është një akt pozitiv sepse kështu do të duhej të luftohej droga edhe nga vendet e tjera të Ballkanit”, ka vijuar ai.

Ndër të tjera ai ka thënë se Kosova ka bashkëpunim të shkëlqyer me EULEX-in, e që ka treguar sukses në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, bartjes së substancave narkotike e prostitucionit.

“Tashmë ka filluar ngritja ose besimi i Bashkimit Evropian në drejtësinë dhe mekanizmat e sigurisë së Kosovës që po tregojnë dita ditës rezultate të dukshme”.

Për Islamin, Kosova është një ndër vendet e para në Ballkan e cila ka treguar vendosmëri, profesionalizëm dhe që ka të gjitha kapacitet logjistike dhe menaxheriale që të luftojë dhe parandalojë krimin e organizuar, korrupsionin, bartjen e substancave narkotike në vend të treta.

“Vetëm atëherë kur një popull izolohet nga bota, do të mund që të mos bëhej transporti i drogave. Kosova është ndër vendet e para që po e lufton këtë dukuri, pasi në raportet e organizatave ndërkombëtare është ngritur në luftimin e krimit të organizuar dhe krimit tranznacional”.

Sipas Islamit, Policia e Kosovës dhe shteti i Kosovës edhe pse një shtet i ri janë treguar profesionalë krahas vendeve të rajonit.

“Policia e Kosovës është ndër policitë më efektive për luftimin e drogës, krimit të organizuar, krimit tranznacional”.

Po ashtu edhe avokati, Naim Rudari ka thënë se Kosova është dhe ka qenë një vend i vogël që shërben si tranzit për qarkullimin e narkotikëve, ngase sipas tij, narkotikët transportohen nga një vend në një vend tjetër varësisht prej llojit të narkotikëve.

Pavarësisht statistikave të Policisë se gjatë dy viteve të fundit ka pasur aksione të shumta me konfiskim të substancave narkotike, Rudari ka thënë se Kosova ka luftuar në masë të madhe trafikimin me substanca narkotike pavarësisht pengesave të përmendura dhe se nuk e ka të vështirë hetimin e këtyre veprave penale.

“Ka një kohë të gjatë që Kosova mban ritmin e kënaqshëm në ndjekjen e këtyre veprave penale dhe ndoshta statistikat flasin për rritje por në këtë drejtim është punuar në vazhdimësi dhe ka pasur rezultate”, ka thënë Rudari.

Sipas tij, rastet me trafikim me substanca narkotike është vështirë të evitohen, ani pse Kosova ka kapacitete të mira por siç është shprehur ai, të parandalohet tërësisht trafikimi me narkotikë është i pamundur edhe në shtetet tjera.

Ai ka thënë se aksionet e fundit të policisë tregojnë se po punohet në vazhdimësi në këtë drejtim.

Ndërkaq, Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar kishte raportuar edhe për shkatërrimin e një laboratori të drogës në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, atje ishte gjetur laborator për kultivimin e marihuanës me mbi 10 mijë fije bimë, të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika