“Apologjia” e vonuar e Krajes

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka bërë disa sqarime rreth një njoftimi të AShAK-ut ku distancohet nga një shkrim i Krajes, dhe ka marrë përgjegjësinë për “analizën” e publikuar në web-faqen e AShAK-ut

Akademik, Mehmet Kraja

“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen kryetarit te ASHAK­-ut z.Mehmet Kraja, për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjelle perçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës(ASHAK).

E ky njoftim ishte lidhur me “analizën” që doli nga ky institucion, e cila po del të jetë vetëm shkrim autorial i kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja, i titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, e ku vetë ASHAK-u, distancohet nga kjo analizë.

Këtij njoftimi i është kundërpërgjigjur vetë akademiku Kraja, i cili thekson se e sheh të nevojshme të bëjë dy sqarime.

“E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi”, është sqarimi i parë i Krajes.

Ndërkaq, në sqarimin e dytë, akademik Kraja shkruan se “lidhur me reagimin rreth analizës ‘Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor’, duhet të saktësojë se më 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë, është diskutuar teksti i analizës, dhe është mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës, dhe sipas radhës janë shprehur këto qëndrime:

Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime;

Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë;

Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj;

Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;

Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;

Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë;

Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj”.

Ai bëri të ditur se Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë, dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh.

Ndërkaq, vetëm 2 anëtarë prej 38-të, janë përgjigjur thekson Kraja.

“Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022). Nga të gjithë anëtarët e Akademisë (38 anëtarë), janë përgjigjur me shkrim dy anëtarë: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent Arsim Bajrami.” ka thënë ai.

Kraja, gjithashtu, bëri të ditur se ka kërkuar nga shërbimet teknike që analizës t’i vihet emri i tij dhe të marrë përgjegjësinë për çdo shkronjë të tij.

“Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar. Në fund, edhe përkundër konsensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti.” ka theksuar Kraja

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika