Rusia të mërkurën kërkoi një shpjegim nga Apple pasi gjiganti i teknologjisë hoqi platformën ruse VK nga App Store, njofton EuroNews.
Përgjegjësi rus i komunikimit, Roskomnadzor, ka gjobitur kompanitë e huaja të teknologjisë për moslargimin e përmbajtjes që Rusia e konsideron të paligjshme.
Mosmarrëveshje të tilla ka pasur që kur Moska dërgoi forcat e saj të armatosura në Ukrainë. Kështu duke bërë qe kompanitë t’i kthejnë shpinën biznesit me Rusinë si pasojë e sanksioneve.
Vkontakte e cila ka mbi 75 milionë përdorues është rrjeti social më i madh në Rusi, shpesh krahasohet me Facebook.
Roskomnadzor tha se veprimet e Apple kishin privuar miliona rusë nga qasja në VK dhe kërkoi që ajo të shpjegonte vendimin e saj. Teksa shtoi se kufizimet ishin “diskriminuese”.
Megjithatë, Rusia e ka kufizuar vetë qasjen e qytetarëve të saj në informacion duke detyruar të gjitha mediat e rëndësishme të pavarura ruse të mbyllin dhe bllokojnë platformat e mediave sociale amerikane Facebook, Instagram dhe Twitter.
Pavarësisht vendndodhjes, aplikacionet nuk mund të shkarkohen nga asnjë App store, tha Apple.
Drejtori i Përgjithshëm i VK, Vladimir Kiriyenko, është nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me babain e tij Sergei Kiriyenko, i cili shërben si zëvendës shefi i parë i kabinetit të Presidentit Vladimir Putin.