Një milion pelegrinë myslimanë janë mbledhur të mërkurën në qytetin e shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite në haxhin më të madh që kur pandemia Covid-19 e kishte kufizuar ndjeshëm praktikimin e njërës nga pesë shtyllat e Islamit.
Vendimi i Arabisë Saudite për t’i lejuar rreth 850 mijë myslimanë nga e gjithë bota për ta kryer pelegrinazhin vjetor, i cili fillon të enjten, shënon një hap të madh drejt normalizimit të jetës, pas dy vjetësh kur edhe ishte mbajtur haxhi i reduktuar në një numër shumë të vogël pjesëmarrësish, raporton AP.
Një milion pelegrinë të huaj dhe vendas që marrin pjesë, ende është numër i vogël krahasuar me atë të vitit 2019 ku kishin marrë pjesë rreth 2.5 milionë myslimanë, që njihet si një nga tubimet më të mëdha në botë.
Ata që do të marrin pjesë në ritualin e haxhit, duhet të jenë nën 65 vjeç dhe po ashtu duhet të jenë të vaksinuar kundër koronavirusit dhe të kenë rezultuar negativ brenda 72 orëve nga udhëtimi. Aplikimet e miliona pelegrinëve zgjidhen nga një sistem llotarie online.
Zyrtarët sauditë të mërkurën inspektuan vendin e shenjtë dhe theksuan “gatishmërinë”, e tyre për t’i pritur pelegrinët duke “ruajtur shëndetin publik”.
Për shkak të pandemisë Covid-19, autoritet saudite kishin lejuar të marrin pjesë në haxh vetëm një mijë persona, të cilin ishin banorë të Arabisë Saudite. Kjo i ka shtyrë historianët ta krahasojnë këtë mbyllje me atë të vitit 1979 kur kishin sulmuar ekstremistët fetarë.
Edhe vitin e kaluar haxhi u kufizua me vetëm 60 mijë pjesëmarrës, të cilët duhej të ishin plotësisht të vaksinuar dhe të ishin banorë të Arabisë Saudite.
Këto kufizime e kishin dëshpëruar të gjithë botën myslimane dhe sidomos ata myslimanë që kishin kursyer për vite për ta kryer obligimin e tyre fetar.
Këtë vit, autoritetet saudite i kanë liruar këto kufizime të shkaktuara nga pandemia Covid-19. Pelegrinazhet fetare sollën 12 miliardë dollarë para pandemisë – duke përbërë përqindjen më të madhe të produktit të brendshëm bruto të Arabisë Saudite pas naftës.
Megjithë rritjen e rasteve në mbi 500 në ditë në shtetin e Arabisë Saudite, në muajin e kaluar qeveria atje e shfuqizoi vendimin për bartjen e maskave në ambiente të hapura. Rreth 70%, e popullatës janë vaksinuar kundër virusit.
Kurani thotë se të gjithë ithtarët e Islamit që janë të aftë fizikisht dhe financiarisht duhet të bëjnë pelegrinazhin një herë në jetën e tyre. Pelegrinët udhëtojnë në Mekë nga e gjithë bota për pesë ditë intensive adhurimi, duke kryer një sërë ritualesh.
Haxhi ndjek një rrugë që profeti Muhamed e eci gati 1400 vjet më parë dhe besohet se gjurmon gjurmët e profetëve Ibrahim dhe Ismail, ose Abraham dhe Ismail siç janë emërtuar në Bibël.