Konventa e Mini Basketbollit që u mbajt në Madrid, Spanjë, ishte pjesë e përmbylljes së trajnimit të Kursit për trajnerë të Mini Basketbollit 2022/23, i organizuar nga FIBA Europe.
Arben Krasniqi, drejtori Teknik në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka marrë pjesë në këtë konventë.
Me përfundimin e suksesshëm të kursit, u zgjodhën edhe Instruktorët Nacionalë të Mini Basketbollit nëpër Federatat përkatëse.
Siç ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës, në Konventë është diskutuar për metodologjinë e mësimdhënies dhe mësimit të trajnerëve, si dhe për kurrikulat e ecurisë së mësimdhënies dhe mësimet taktike në grupsulm dhe mbrojtje.
Qëllimi i këtij kursi ishte që trajnerët të jenë në gjendje të punojnë me fëmijët dhe të ndajnë njohuritë e fituara me trajnerët e tjerë për të kontribuuar në zhvillimin e Mini Basketbollit.
FBK-ja ka njoftuar se Mini Basketbolli është duke përjetuar rritje të jashtëzakonshme, dhe FIBA Europe ka vlerësuar se Federatat kanë nevojë për më shumë trajnerë të Mini Basketbollit që të ofrojnë mjedisin e nevojshëm për fëmijët dhe t’u mësojnë si të luajnë basketbollin.