Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ka njoftuar se pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë në Luginën e Preshevës, Bujanoc e Medvegjë, nga rezultatet preliminare të së martës, numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar në këto komuna kalon shifrën prej 125 mijë.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Arifi ka theksuar se Bujanoci numëron mbi 54 mijë banorë të regjistruar, Presheva mbi 59 mijë kurse Medvegja mbi tetë mijë.
“Ditën e djeshme, më 31 tetor 2022, ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullësisë dhe amvisërive në Republikën e Serbisë. Shqiptarët për herë të parë pas regjistrimit të vitit 2001 iu përgjigjen thirrjes për regjistrim. Nga rezultatet preliminare që kemi siguruar mëngjesin e sotëm, Bujanoci numëron 54.498 banorë dhe 13.000 amvisëri, Presheva ka 59.024 banorë dhe 11.654 amvisëri, dhe Medvegja 8.459 banorë dhe 5899 amvisëri”, ka shkruar ai.
Sipas tij, këto shifra tregojnë se komuna e Bujanocit është komunë në rritje, ku në krahasim me regjistrimin e fundit të rregullt në vitin 2001, kjo komunë ka pasur gjithsej 43 mijë e 302, ndërsa tani është rritur për më shumë se 11 mijë banorë.
“Për gjithë këtë sukses, fillimisht duhet të falemnderoj shefin e Misionit të OSBE-së në Serbi Jan Braathu, i cili ishte garantuesi më i madh që ky proces do të zhvillohet në frymën e standardeve europiane, i cili më pastaj më hapi rrugën që të marrë iniciativën për takime konsultative me përfaqësuesit e partive tjera politike shqiptare në Luginë për t’iu përgjigjur pozitivisht regjistrimit. Pas tri takimeve konsultative në kabinetin tim, më datë 25 korrik 2022, nënshkruam deklaratën e përbashkët për të marrë pjesë në regjistrimin e popullësisë”, shtoi ai.
Ai ka theksuar se vendimi për të dalë në këtë regjistrim nuk ishte i lehtë, pas bojkotit të vitit 2011, por në fund doli të jetë i drejtë.
“I drejtë, sepse demantuam shifrat e regjistrimit 2011, ku shqiptarët llogariteshin rreth 5.800 shqiptarë në gjithë Serbinë. Tanimë duket qartë se numri i shqiptarëve është rreth 100.000”, ka thënë Arifi.
“Dhe, në fund, por jo më pak të rëndësishëm, falemnderoj të gjithë qytetarët që u regjistruan, grupën punuese pranë administratës komunale, instruktorët që udhëhoqën këtë proces, si dhe një falemnderim i posaçëm për të gjithë regjistruesit në terren, të cilët derë më derë trokitën përgjatë një muaji për të regjistruar çdo banorë dhe çdo shtëpi apo banesë”, shtoi ai.
Ndryshe, në një bisedë telefonike në emisionin “Magazina” me Blerina Neziri dhe Lirik Sylmetaj, në Radio Dukagjini, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka thënë se deri më tash i bie që rreth 100 mijë shqiptarë kanë deklaruar kombësinë në Serbi.
“Në Preshevë janë regjistruar 58 mijë e 845 banorë, mbi 54 mijë qytetarë janë regjistruar në Bujanoc dhe mbeten edhe diku rreth 90 shtëpi të regjistrohen. Derisa në Medvegjë rreth tetë mijë janë regjistruar. Ende nuk është përmbyllur procesi në Medvegjë dhe Bujanoc. Afërsisht janë 100 mijë shqiptarë që janë regjistruar, por ende nuk i kemi të dhënat e përpunuara”, ka thënë Mustafi.
Gjatë kësaj bisede, Mustafi i ka quajtur shqetësuese deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se shifrat e regjistrimit janë fryrë nga shqiptarët.
“Deklaratat e presidentit Vuçiq ishin shqetësuese. Kemi takuar Komisarin e Lartë për Pakicat Kombëtare nga Haga, ambasadorin e OSBE-së dhe kemi kërkuar monitorim të përfundimit të procesit dhe përpunimit të të dhënave. Rreth 100 mijë shqiptarë është dëshmia më e mirë kundër diskriminimit e pasivizimit të adresave”, ka shtuar Mustafi.
“Kemi dëshmuar se nuk jemi vetëm 5 mijë e 809 shqiptarë sa ishin në regjistrat zyrtare të Entit të Statistikave Republikane”, ka thënë Mustafi për Radio Dukagjini.
Rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë në Serbi, do të publikohen brenda 30 ditëve pas përfundimit të regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pjesë-pjesë, duke filluar nga marsi ose prilli i vitit të ardhshëm.