Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me situatën në Luginën e Preshevës pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai ka theksuar se qytetarët dhe ai vetë janë nën stres dhe shqetësim për shkak të kësaj ngjarjeje dhe situatës së përgjithshme të pasigurisë në rajon.
“Edhe tek në mundet të zhvillohet një situatë e tillë, ku ne nuk kemi as Policinë tonë, ku ne nuk kemi as kompetenca në siguri, ku hynë e del gjithkush si të dojë në Luginë të Preshevës. Dhe ku mundet të bëhet edhe një hapësirë e eskalimit të situatës, sepse nga ajo çfarë ndodhi në veri të Kosovës, tregon që dikush është i interesuar tejet mase për ta eskaluar situatën në rajon”, ka deklaruar ai për emisionin FIVE.
Arifi ka shprehur shqetësimin e tij për mundësinë e hakmarrjes në Luginën e Preshevës pas sulmit kriminal në veri dhe ka ftuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për ndihmë në monitorimin e situatës.
“Në zyrën time këtu e ftova OSBE-në për ta ia shprehur frikën tonë që mund të ketë një hakmarrje nga ajo çka ndodhi në veri të Kosovës, mund të ndodhë edhe në Luginë të Preshevës. Frika ekziston edhe nuk mundemi ta heqim. Por ne nuk po nxisim, unë vetëm jam duke njoftuar edhe do të vazhdoj të i njoftoj duke marrë edhe shkresa zyrtare, që jemi të frikësuar, dhe të jenë më vigjilent dhe më monitorues në Luginë sepse nuk kemi kontroll dhe këtu mund të ndodh gjithçka. Ne jemi në brisk të Serbisë, mund të ndodh gjithçka. Po apeloj tek të gjithë që kanë mundësi dhe kanë mundësinë mos të na lënë vet në këto momente”, ka deklaruar Arifi.
Ai ka bërë thirrje për ndihmë dhe mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar për të parandaluar eskalimin e situatës në rajon.