Veriu i Kosovës duket se nuk është pastruar tërësisht nga armatimi e mjetet tjera ushtarake.
Këtë e fakton municioni i fundit i gjetur nga Policia e Kosovës në pamjet që ka siguruar televizioni Dukagjini.
Policia e Kosovës ka hasur në një artileri të lehtë që ishte nëntokë e nëpër gypa të ujit.
Në afërsi të një shtëpie private në Zveçan të martën zyrtarë të Policisë arritën të sekuestrojnë sasi të konsiderueshme armësh.
Ndër to edhe 4 granata M75, dy pushkë automatike AK 47, gjashtë karikatorë me municion të AK 47, një karikator i zbrazët, 156 fishek të AK 47, 179 fishekë të M48, një antiplumb ushtarak, me dy pllaka, tri palë pantallona, katër jakne ushtarake, dy jelekë taktikë, dy gas maska, dy çanta krahu ushtarake, e 5 rripa ushtarakë të brezit.
Disa nga to ishin të sistemuara ne kavanoz të plastikës të groposur nën dhe.
Zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani tha se dyshimet janë tek një person që mund të ketë lidhje me rastin “Banjska”.
“Ne dyshojmë se ky rast lidhet me një person i cili është me interes për policinë e që ka të bëjë me rastin e Banjskës”, ka thënë Veton Elshani – Policia e Kosovës.
Ai dha edhe detaje shtesë për këtë aksion.
“Kemi shku në atë vend e kemi fillu bastisjen në një vend të caktum nën dhe kemi gjet një bure me uniforma, mandej edhe një thes tjetër me municion. e kemi thirr njësinë për trajtimin e mjeteve të pa eksploduara”, ka thënë Veton Elshani – Policia e Kosovës.
Dukagjini ka mësuar se personi që po dyshohet që ka lidhje me këtë armatim është tash e shumë kohë në kërkim nga Policia e Kosovës.