Shumë afër qendrës së Zveçanit në një shtëpi të pabanueshme në fshatin Kurillë e Poshtme u gjet shumë armatim.
Armë automatike, mbi 1500 plumba, karikatorë, pajisje për mbajtjen e armëve, shok-bomba e çka jo.
Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga ky rast, Policia e Kosovës ende nuk ka arrestuar ndonjë person që ndërlidhet me këtë rast, përkundër se e kanë konfirmuar se kanë të dyshuar.
Edhe më 24 qershor, po në afërsi të qendrës së Zveçanit, në një veturë me targa të Beogradit u patën gjetur dhjetëra pajisje ushtarake si zollë apo predha-hedhës, armë automatike, municion uniforma e mjete tjera.
Edhe për këtë rast nuk është raportuar për të arrestuar.
Përkundër kësaj Ministri i Brendshëm është i sigurt se ata që qëndrojnë prapa kësaj veprimtarie do të bien në prangat e Policisë.
“Herdo kurdo dhe unë jam i bindur se shumë shpejtë, secili do të japë llogari për shkeljet për krimet që ka bërë e që bënë në cilindo cep të Kosovës.”, ka thënë Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm.
Një ndër organizatat që vepron në këtë zonë është “Brigada e Veriut” e shpallur së fundmi terroriste nga Qeveria.
Po në emër të kësaj organizate ministri Xhelal Sveçla është kërcënuar me dje me jetë, gjë e cila duhet se nuk e ka shqetësuar.
“Unë ndjehem jashtëzakonisht i sigurt falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizmit të tyre.”, ka deklaruar Sveçla.
Për mungesën e arrestimeve janë kritik dhe kërkojnë veprime në terren ekspertët e sigurisë.
“Është pak e çuditshme që jemi pak të ngathët sa i përket kapjes së personave apo grupeve. Të mos harrojmë një fakt që Qeveria e Kosovës ka deklaruar se kemi dy organizata terroriste në veriun e Mitrovicës, por në fakt nuk kemi terrorista të arrestuar.”, ka thënë Bedri Elezi, njohës i fushës së sigurisë.
Elezi thotë se për pjesën veriore të Kosovës qarkullojnë informacione se ka më shumë armatim e baza të improvizuara.
“Zakonisht janë baza të cilat posedojnë armatim dhe përdoren edhe për stërvitje si ti quajmë ashtu poligone për stërvitje të anëtarëve të grupeve tani më të quajtura terroriste nga Qeveria e Kosovës”., ka thënë Elezi.
Për shtëpinë ku u gjet të martën armatimi ministri Sveçla tha se ka shërbyer si bazë për grumbullimin dhe shpërndarjen e armatimit për grupet kriminale serbe.