Armë pa leje e lëndim i rëndë, shumica e 18 aktgjykimeve ndaj “Kobrës” gjoba

Mes viteve 2007 dhe 2021, vetëm Gjykata Themelore e Prizrenit shqiptoi 16 aktgjykime ndaj Dibran Hoxhës të njohur si “Kobra”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e sotme. Mirëpo, shumica e këtyre aktgjykimeve, janë dënime me gjobë, përkundër që Hoxha në disa raste u dënua për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje

Fotoilustrim

Dhjetëra dosje në Policinë e Kosovës, si dhe 16 aktgjykime të Gjykatës Themelore të Prizrenit, rëndojnë mbi Dibran Hoxhën, të dyshuarin kryesor për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë, V.C.

Historia e tij me gjyqet nis në vitin 2007 kohë kjo kur për herë të parë ndaj Hoxhës nga Gjykata e Prizrenit u shqiptua një dënim për pjesëmarrje në rrahje.

Por, prej atëherë dosjet e “Kobrës” në këtë Gjykatë rëndoheshin nga viti në vit.

Në shumicën e aktgjykimeve, shihet se ndaj Hoxhës janë shqiptuar dënime me gjobë, përfshirë tri rastet kur ai kishte mbajtur armë pa leje.

Për posedim të paautorizuar të armëve, Hoxha në një rast u dënua me 1 mijë euro gjobë, në një tjetër me 850 euro, kurse njëherë me 800 euro.

Në listën e aktgjykimeve të siguruara nga Televizioni Dukagjini, shihet se Dibran Hoxha ishte dënuar me një gjobë prej 200 eurove, edhe për një rast të lëndimit të rëndë trupor në vitin 2014.

Gjobë prej 140 eurove iu shqiptua edhe në një kanosje në vitin 2018, kurse me para u dënua edhe për disa raste të lëndimeve të lehta trupore.

Përkundër përsëritjes së veprave penale, Gjykata Themelore e Prizrenit në disa raste të tjera, të njohurin si “Kobra” e dënoi me burgim me kusht.

Nga viti 2007 e deri në vitin 2021, në 12 aktgjykime të plotfuqishme, Dibran Hoxha ishte dënuar me gjobë, kurse në katër aktgjykime të tjera u dënua me dënim me kusht.

Në disa intervista televizive, “Kobra” kishte thënë se telashet e tij me persona të ndryshëm nisën pas hapjes së lokalit, në oborrin e të cilit ndodhi edhe vrasja mëngjesin e së martës.