Mbi 21 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit Pensional.
Para se të shqyrtohet, projektligji për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti iu është dorëzuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
I njëjti, duhet që të diskutohet në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, brenda dy deri në katër javë. Afati për trajtimin e tij përfundon të enjten.
Për këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka fajësuar kryetarin e këtij komisioni, Armend Muja.
Sipas Haxhiut, Muja po e shkel rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës.
Për këtë shkak, sipas Haxhiut, organizatorët e mbledhjes së nënshkrimeve, pas datës 24 mund ta padisin Mujën.
Haxhiu në një prononcim për Portali Dukagjini, ka theksuar se shkelja e rregullores së punës së kuvendit është e barabartë me shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.
“Projektligjin për Trustin e ka bllokuar Komisioni për Buxhet dhe Financa, kryetari i komisionit Armend Muja. Ai po e shkel rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës, shkelja rregullores së punës së kuvendit është e barabartë me shkelje të Kushtetutës së Kosovës sepse dy këto akte juridike votohen me 2/3 të deputetëve dhe është shkelje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë siguruar 21 mijë e 398 nënshkrime, por duket që Armend Muja mendon se është më i madh se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nuk i trajton kërkesat e tyre. Është lajmëruar nga iniciatorët e mbledhjes së nënshkrimeve që pas datës 24 edhe mund ta padisin Mujën”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, më 23 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.
Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Për këtë temë u zhvillua debat i gjerë, me akuza e kundërakuza në mes të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.
Kategorikisht, kundër këtij projektligji është shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se një veprim i tillë do ta dëmtonte të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa sipas opozitës, kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është kërkesë e qytetarëve dhe jo e tyre.