Armenia vendos kushte për njohjen e Nagorno-Karabakut si pjesë të Azerbajxhanit

Armenia tha se është e gatshme ta pranojë rajonin e Nagorno-Karabakut si pjesë e Azerbajxhanit fqinj, por nën disa kushte

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian. Fotografi nga arkivi.

Armenia tha se është e gatshme ta pranojë rajonin e Nagorno-Karabakut si pjesë e Azerbajxhanit fqinj, por nën disa kushte. Një kompromis i tillë do të ndihmonte që t’i jepej fund konfliktit prej disa dekadash dhe do të ndihmonte në ringjalljen e këtij rajoni të varfër.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, tha gjatë një konference për media më 22 maj se çdo njohje nga Jerevani i Nagorno-Karabakut si pjesë e Azerbajxhanit do të varej nga garantimi i të drejtave dhe sigurisë së armenëve etnikë, që jetojnë në këtë rajon malor.

Azerbajxhani dhe Armenia kanë mosmarrëveshje lidhur me Nagorno-Karabakun që nga fundi i viteve ’80, kur armenët etnikë, që janë shumicë në këtë rajon, kërkuan që ai të transferohej nga Azerbajxhani sovjetik në Armeninë e atëhershme sovjetike.

Një luftë civile shpërtheu pas kolapsimit të Bashkimit Sovjetik dhe Nagorno-Karabaku shpalli pavarësinë nga Azerbajxhani. Megjithatë, shpallja e pavarësisë nuk është njohur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Bakuja rimori kontrollin e një pjese të territorit pas një lufte gjashtëjavore më 2020. Të dyja palët nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, që aktualisht monitorohet nga forcat paqeruajtëse ruse.

Megjithatë, marrëveshja nuk ka sjellë paqe në rajon dhe ka pasur përleshje të kohëpaskohshme mes dy palëve. Përleshjet e fundit ndodhën më herët gjatë këtij muaji.

Deklaratat e Pashinianit vijnë një javë pasi ai u takua në Bruksel me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Ky takim u thirr nga Bashkimi Evropian dhe në të u diskutua për arritjen e një marrëveshjeje që do të prodhonte paqe të qëndrueshme.

BE-ja tha se takimi paraqiste një hap pozitiv përpara. Megjithatë, arritja e paqes së qëndrueshme do të kërkonte kohë dhe tejkalimin e mospajtimeve nga opozita në Armeni. /REL

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika