“Armiq të pushtetit, armiq të shtetit”

Nëpërmjet sulmeve dhe linçimit pushteti po përpiqet që t’i delegjitimojë gazetarët dhe mediat në sy të qytetarëve, duke i kthyer në fajtorë kujdestarë për dështimet e veta, duke i konsideruar armiq të pushtetit dhe të shtetit.

Raporti i Progresit i Bashkimit Europian për Kosovën ka evidentuar përpjekjet e qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat. Raporti radhit një sërë shqetësimesh që kanë të bëjnë me mediat, duke nisur nga refuzimi i Kuvendit të Kosovës për të marrë parasysh shumicën e rekomandimeve të BE-së rreth ligjit për KPM’në. Raporti kritikon edhe transmetuesin publik, RTK, duke ngritur shqetësime për llogaridhënie dhe pavarësi redaktoriale, ndikim politik, publikim lajmesh të huaja që sulmojnë dy media etj. Po ashtu, raporti përfshin rekomandime të cilat përsëriten nga i kaluari, por që zyrtarët shtetërorë nuk kanë pasur vullnet që t’i zbatojnë.

Veçnërisht viti i fundit është karakterizuar me sulme të ashpra verbale të eksponentëve të pushtetit ndaj mediave dhe gazetarëve. Raporti vetëm sa i evidenton ato çfarë gazetarët dhe mediat kritike ndaj qeverisë i përjetojnë çdo ditë.

Sulmet nga më të ndryshmet kanë ardhur si përgjigje e pushtetit ndaj kritikave dhe raportimeve mediale, të cilat në thelb kanë pasur dyshimet për keqpërdorime financiare dhe të tjera. Në këtë mënyrë, gazetarë, opinionistë dhe media janë vënë në shenjestër pamëshirshëm, duke u etiketuar si persona të lidhur me Serbinë dhe media të financuara nga Serbia, njerëz të Aleksandër Vuçiqit e Milan Radoiçiqit, njerëz që “ia bëjnë argatin Beogradit” dhe që e luftojnë Albin Kutin dhe qeverinë e tij.

Këto sulme të paskrupullta dhe përpjekje për t’i nxirë gazetarët kanë krijuar një mjedis problematik për punën e tyre. Nëpërmjet sulmeve, linçimit dhe intimidimit, pushteti po synon që gazetarët dhe mediat t’i delegjitimojë në sy të qytetarëve, duke i kthyer në fajtorë kujdestarë për gjithçka të keqe që ndodh në vend.

* * *

Nuk është pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje i pari as i vetmi që ka provuar t’i mposht gazetarët nëpërmjet etiketimeve, frikësimit dhe sulmeve të ndryshme. Por, nën mandatin e partisë së Albin Kurtit gazetarët si asnjëherë më parë janë gjendur në shënjestër të sulmeve brutale, në përpjekje për t’i prezantuar ata si armiq të pushtetit, përkatësisht të shtetit.

Nëse një gazetar e cilëson si “njeri të Serbisë”, automatikisht i ke vënë epitetin e një armiku të rrezikshëm të shtetit. Nëse gazetarët i njëjtëson me Serbinë, mesazhi është i qartë: ata duhet të luftohen si armiq. Ashtu siç Serbia po e pengon Kosovën në konsolidimin e shtetësisë së saj, ashtu edhe gazetarët, sipas pushtetit, po pengojnë përparimin e vendit. Si e qysh, veç pushteti e di.

Nëse pushteti ka pritur që mediat dhe gazetarët do t’i duatrokasin çdo veprimi që merr, e kanë pasur gabim. Mision i gazetarëve dhe mediave është raportimi. Por, në vend që t’i shohë si gazetarë dhe media që e kryejnë punën e vet, pushteti ka zgjedhur t’i shohë si armiq. Në optikën e pushtetit secilin dhe secilën që kritikon, që raporton dyshimet për bëmat e pushtetit duhet luftuar. Sepse, prapë sipas logjikës së njëjtë, pushteti nuk gabon.

Nëpërmjet nismave ligjore, pushteti ka për qëllim që të cenojë lirinë e shprehjes dhe të medias. Detyrë e pushtetit nuk është që t’i mësojë mediat si të raportojnë, e as gazetarët se çfarë të thonë në debate televizive. Detyrë e pushtetit është që të krijojë kushte për punë normale të gazetarëve, të ofrojë siguri për ta.

Por, në vend të kësaj, duke përdorur madje edhe transmetuesin publik si ”armë”, pushteti ka vënë në rrezik edhe jetët e gazetarëve. Për pushtetin ata duhet sulmuar dhe etiketuar, sepse mbajnë përgjegjësi pse punët e qeverisë po ecin keq.

Gazetarët nuk kanë faj pse qeveria nuk mund t’i përmbush premtimet e bëra, as pse ka shkelur mbi premtime të tjera. Nuk kanë faj as pse zyrtarë të lartë të pushtetit dyshohen për keqpërdorime financiare. Por, pushteti nuk mendon kështu. Logjika ua thotë se armiq të popullit nuk janë ata që keqpërdorin buxhetin, por ata që raportojnë dyshimet për këto keqpërdorime. Pushteti merret me lajmëtarin, jo me lajmin. Pushteti nuk është shteti. As gazetarët nuk janë armiq të shtetit, por kritikë të pushtetit. Sa më shpejt që pushtetarët e kuptojnë këtë, aq më mirë.

Të fundit nga rubrika