Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arratisjes së Enver Sekiraqës, duke thënë se dikush që është i njohur për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri.
Haxhiu ka thënë se kjo ka ndodhur edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vjetësh për vrasjen e Triumf Rizës.
Lexo më shumë: Arratiset Enver Sekiraqa, Policia: Kemi informuar të gjitha vendkalimet kufitare
“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja ka thënë se caktimi i masës së arrestit shtëpiak është “skandal i madh”.
“Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak. Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo gjë është shqetësuese dhe do të duhej të shërbente si por për të tilla raste në përgjithësi.
“Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze. Ky rast, përveç tjerash ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion prandaj duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.