Gjatë mëngjesit të së premtes, pas një muaji të përgjimeve që u etiketuan si “afera e vajit dhe e grurit”, Policia e Kosovës kreu bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore.
Fillimisht, bastisja u krye te banesa e Ridvan Muharremit dhe te një lokal i tij, ku pastaj i njëjti edhe u shoqërua në polici. Kurse në MINT, u arrestuan dy zyrtarë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Avokati i Muharremit, Mahmut Halimi, ka deklaruar para mediave se ka prova të mjaftueshme për pafajësinë e klientit të tij, duke shtuar se nuk ka ndonjë fletarrest për të.
“Kemi prova të mjaftueshme për pafajësinë e klientit tim. Do të njoftohet opinioni për të gjitha, është i lirë, nuk ka fletarrest për të. Do të ftohet në polici se kemi kërkuar që të ftohet nga organet e drejtësisë. Ai ka qenë brenda në banesë gjatë kohës së bastisjes”, ka thënë Halimi.
Tutje, avokati Halimi ka thënë se Muharremi është shoqëruar në Prokurorinë Speciale për intervistim për aferën e vajit dhe të grurit dhe nuk ka urdhërarrest.
Sipas tij, pas intervistimit do të vendoset për të.
“Ai është shoqëruar në Prokurorinë Speciale për intervistim për aferën e vajit dhe grurit dhe nuk ka urdhërarrest. Pas intervistimit do të vendoset për të njëjtin”, ka thënë Halimi.
Bastisja e pronave të Muharremit nisi në orën 6:00 të mëngjesit, për të vazhduar më pas në bastisjen e ambienteve të MINT-it në orën 8:00.
Në polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica.
Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e MINT-it.
Disa zyrtarë policorë së bashku më disa dokumente që janë marrë brenda zyrave, janë larguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Policia e Kosovës gjatë largimit me dokumente nga MINT-i (Foto; RTV DUKAGJINI/ Gazetarja Vlora Selimi)
Kjo ministri dyshohet se u bastis për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore, respektivisht të vajit dhe të grurit.
Gara dhe Lipovica dëgjohen në disa audioincizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar në lidhje me arrestimin e tre personave në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të rezervave shtetërore, ndër ta edhe dy zyrtarë të ministrisë.
Në reagimin e ministrisë thuhet se e mirëpresin “çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore”, derisa shtojnë se janë të bindur që furnizimet dhe rezervat shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin dhe se nuk ka ndodhur asnjë dëm me to.
Sipas tyre, në muajt e fundit ka pasur përpjekje për ta keqinformuar publikun, të cilat keqinformime sipas ministrisë janë nxitur nga palë të ndryshme të interesit.
“Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”, thuhet në njoftim.
MINT-i ka kërkuar nga organet e hetimit të mos e cenojnë sigurinë shtetërore sa u përket rezervave.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, thuhet në reagim.
Tutje, në reagim u kërkohet edhe mediave të mos shpërndajnë lajme të pakonfirmuara, sepse, sipas tyre, procesi i furnizimit me rezerva shtetërore është bërë sipas legjislacionit në fuqi.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i lut mediat që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria dhe siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Në fund, ministria thotë se “është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovës pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës”.
Deklarimi i Kurtit
Pasi u kishte thënë gazetarëve se do të deklarohej gjatë ditës lidhur me aksionet e policisë, Kurti mbajti fjalën me një video të publikuar në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka thënë se qeverisja e tij prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj. Sipas tij, humbësit i gjen tek “elita e vjetër dhe korruptuar politike”, të gjykatësit, prokurorët dhe të mediat e keqpërdoruara.
Ndërsa, fitues janë të gjithë qytetarët e Kosovës, sipas Kurtit.
“Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar. Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ka besim te ministrja Hajdari, pasi nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, ka shtuar Kurti.
Më tej, shefi i Qeverisë ka thënë se për dy vjet, rezervat shtetërore i kanë ngritur nga 300 mijë euro në 25 milionë euro.
Reagimet e opozitës
Pas përfundimit të bastisjeve, deputetët e partive opozitare reaguan njëri pas tjetrit.
Nga subjektet pati edhe konferenca përmes së cilave u kërkua dorëheqja e ministres Hajdari si dhe u bë thirrje për Qeverinë që të mos e pengojë zhvillimin e hetimeve.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, cilësoi shkarkimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si“detyrë kombëtare”.
“Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni za, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, nën arsyetimin se Qeveria aktuale i ka përqafuar skandalet e njëpasnjëshme.
Sipas tij, nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, pasojat e qeverisë Kurti do të vërehen për dekada të tëra.
“Keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund. Nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë. ZGJEDHJE TË REJA SA MË PARË!”, ka shkruar Krasniqi.
Betim Gjoshi, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka kërkuar shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari. Sipas tij, Hajdari është dashur të shkarkohej edhe më herët për arsye të ndryshme.
Në një konferencë për media pas arrestimit të një pronari lokali dhe të dy zyrtarëve të MINT-it për “keqpërdorim të rezervave shtetërore”, Gjoshi ka deklaruar se përgjegjësia mbi këtë rast mbetet te ministrja Hajdari.
“Pas skandalit të Martinit, e arrestimit të Mujecit, Muharremaj është miku i katërt që arrestohet. Është fatkeqësi që kryeministri ka të tillë persona afër vetes. Muharremi me bekimin e Kurtit dhe Rozetës është marrë me rezerva, është marrë me biznese të ndryshme të armëve, ka kërkuar edhe gjetjen e katër dëshmitarëve katolikë për të dëshmuar kundër Thaçit në Hagë… Sot, para se gjithash, përgjegjësia bie mbi ministren Rozeta Hajdari…kryeministri Albin Kurti, urgjentisht, sot, menjëherë, duhet që ta shkarkojë nga detyra ministren Hajdari, për t’i hapur rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht”, ka deklaruar Gjoshi.
Ky i fundit ka deklaruar se tanimë, siç e quan ai “në një qeverisje normale”, Hajdari do duhej të jepte dorëheqjen për arsye morale.
Krahas kësaj, si jo rrallëherë, PDK-ja ka kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Kjo qeveri ka humbur legjitimitetin prej keqpërdorimeve me energji, me Radojqiqin…kjo qeveri është skandaloze, e paaftë…vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar ai.
Gjoshi ka thënë se një prej opsioneve që janë duke e menduar është edhe kthimi nga pushimi i deputetëve dhe rikthimi i punës së Kuvendit nëse Kurti nuk e shkarkon ministren Hajdari.
Berat Rukiqi, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka vlerësuar se Qeveria e Republikës së Kosovës drejtuar nga kryeministri Albin Kurti e ka bërë më të lehtë vjedhjen e rezervave shtetërore me një vendim të vitit të kaluar.
Në një konferencë për media pas arrestimit të një pronari lokali dhe të dy zyrtarëve të MINT-it për “keqpërdorim të rezervave shtetërore”, Rukiqi ka deklaruar se qeveria Kurti ka treguar një paaftësi në qeverisje duke shtruar një mozaik “korruptiv”.
“Ky nuk është vetëm rast korruputiv, të gjitha elementet na qojnë tek një rrjet i organizuar mire… Me vendim të vitit 2022 të qeverisë, autoriteteve të rezervave u jepet mundësia të furnizojnë vendin me rezerva shtetërore pa procedura të rregullta të prokurimit. Qeveria Kurti me këtë vendim ua ka bërë më të lehtë dhe me të shpejtë vjedhjen e rezervave”, tha Rukiq.
“Ky rast është pjesë e mozaikut të gjerë dhe të gjatë i sistemit korruptiv dhe kriminal të instaliuar nga LVV në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ky pushtet ka treguar paaftësi të jashtëzakonshme për me qeverisë, ndërsa në anën tjetër ka treguar zell të jashtëzakonshëm për kapjen e shtetit dhe shtrirje e aktivitetit kriminal në vend”, vijoi ai.
Rukiqi i ka bërë thirrje pushtetit që të mos e pengojë zhvillimin e hetimeve, gjersa ka deklaruar se me fillim të sesionit vjeshtor, do të formohet komisioni hetimor në Kuvend.
Detajet nga Prokuroria
Disa orë pas aksionit, Prokuroria Speciale ka dalë me njoftim për rastin dhe dyshimet ndaj të ndaluarve.
Prokuroria Speciale ka thënë se “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L. Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit”.
Muajin e kaluar, gazeta “Nacionale” publikoi një sërë përgjimesh, ku flitej për keqpedorim të rezervave shtetërore.