“Arrestimi dhe torturimi ndaj Sanduloviqit, shpërfaqje e politikës serbe ndaj atyre që dënojnë krimet e Serbisë”

Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, dhe avokati Shkelzen Sopjani, janë shprehur të habitur për shkak të mosreagimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, pas arrestimit dhe torturimit të politikanit serb, Nikolla Sanduloviq

Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, ka thënë se arrestimi i politikanit serb, Nikola Sanduloviq, nga BIA serbe, dhe torturimi i tij deri në atë masë, është një shpërfaqje e politikës serbe për të gjithë ata që dënojnë krimet zyrtare të Serbisë gjatë viteve të 90-ta në Ballkan, përkatësisht në Kosovë.

I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Veseli ka thënë se doktrina dhe taktikat në Serbi vazhdojnë të jenë të vjetra.

Po ashtu, ai foli edhe për mosreagimin e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.

“Kidnapimi dhe burgosja e tij, torturimi i tij deri në atë masë buzë vdekjes bazuar në supozimet e familjes së tij, është një shpërfaqje e politikës zyrtare të Serbisë për të gjithë ata njerëz që mendojnë ndryshe, që dënojnë krimet e politikës zyrtare dhe shtetit serb gjatë viteve 90-ta që i kanë realizuar në Ballkan, në Kosovë. Të vendosësh lule te varret e familjes Jashari, e bën vetëm ai që ka ndjenja sadopak njerëzore, e këtë e ka bërë Sanduloviqi, që të torturohet e ta sjellin buzë vdekjes këtë e bën vetëm Serbia. Aleksandër Vulini, atë urdhër që e ka dhënë për arrestimin e tij në atë kohë sa ka qenë në detyrë, e ka dhënë nën urdhër të Vuçiqit, sepse nuk ka mundur ta marrë atë vendim në mënyrë të pavarur. Doktrinat dhe taktikat i kanë të njëjta dhe të vjetra. Është e habitshme mosreagimi i ambasadorit Hill në Beograd”, tha Veseli.

Në anën tjetër, avokati Shkelzen Sopjani ka thënë se ndikimi i Rusisë është jashtëzakonisht i madh në BIA.

“Ndikimi i Rusisë është jashtëzakonisht i madh në BIA. Deklarimi i Vulinit se ai e ka dhënë urdhrin sa ka qenë në detyrë… edhe nëse e ka dhënë urdhrin, pse nuk është ekzekutuar atëherë kur është dhënë urdhri meqë Sanduloviqi tërë kohën ka qenë në Serbi. Vizita e Sanduloviqit ka qenë vitin e kaluar, ky vetëm e ka postuar. Ata e kanë shfrytëzuar këtë postim si pretekst që ta arrestojnë”.

Sipas tij, deklarata e Aleksandër Vulinit ishte me qëllim që ta “shpëtojë” presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se urdhrin e kishte bërë gjatë kohës sa ai ishte në detyrë.

“Vulini çka ka dashur të bëjë është që ka dashur ta “lajë” Vuçiqin nga kjo, duke pretenduar se ai e ka dhënë urdhrin… kjo shpërfaq edhe ndërlidhjen dhe ndikimin rus në BIA, sepse këtë metodë që e përdori Vuçiqi e kemi parë të përdoret shumë herë nga Putin e Millosheviqi, e sidomos Putini e ka përdorur për ta mënjanuar opozitën”, shtoi ai.

Sopjani theksoi se në dy vitet e fundit në Serbi ka pasur një përndjekje të jashtëzakonshme nga BIA ndaj opozitës serbe dhe kundërshtarët e Putinit, një pjesë e madhe e tyre janë ekstraduar në Rusi.

“Këto taktika me Sanduloviqin i kemi parë edhe me rusë, por edhe me serbë. Pak e çuditshme është që s’ka pasur reagim të ndërkombëtarëve, kam pritur që Christopher Hill të dalë me një reagim, përndryshe krejt çka po shohim është shpërfaqje e fytyrës së vërtetë të Vuçiqit dhe regjimit të tij në Serbi. Vuçiqi është ai i viteve 90-ta si huligan. Karriera, fillet e tij janë këto që po i shohim”, potencoi Sopjani.

Më tej, avokati u shpreh se rreziku real i një konflikti të përmasave më të gjera është në Bosnje dhe në Mal të Zi sesa në Kosovë.

“Ne e kemi luksin e homogjenitetit, e kemi një popullsi të pastër në aspektin etnik, probabiliteti është më i vogël që të ndodhë diçka… duke shtuar prezencën e madhe të NATO-s. Mundësitë i kanë në Bosnje, sepse e kemi një Dodik i cili haptazi e proklamon botën serbe dhe bashkimin me Serbi”, tha ai.

Ndryshe, 30 ditë paraburgim i është caktuar politikanit serb, Nikola Sanduloviq, nga Gjykata e Serbisë.

Këtë e bëri të ditur për Radio Dukagjinin, avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, i cili theksoi se arsyeja kryesore për këtë vendim ka qenë se klienti i tij ka vendosur e lule te varri i Blerina Jasharit, e cila ishte vrarë nga forcat serbe në Prekaz.

“Z.Sandulloviqit i është caktuar paraburgimi fillestar prej 30 ditësh, që i llogaritet nga dje. Pra me propozim të prokurorit, Gjykata i ka caktuar atij paraburgim, sepse ka vendosur lule te varri i Blerina Jasharit, vogëlushes së vrarë në vitin 1998”, tha ai për Radio Dukagjinin.

Stojkoviq i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë në rastin e Sanduloviqit.

Sipas tij, ata janë të vetmit që mund të ndihmojnë.

Sanduloviqit i caktohet masa e paraburgimit, avokati i tij kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika