Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka deklaruar se arrestimi i kreut të KEK-ut, Nagip Krasniqi nga Prokuroria është bërë me qëllim të krijimit të një spektakli për të prishur imazhin e menaxhmentit të ri të Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Deri më tani ende nuk kemi asgjë zyrtare ka dyshime, por për atë se çfarë flitet ajo kontratë është prishur në fillim të muajit mars, dhe tani jemi ne fund të muajit prill. Kanë pritur hiç më pak se dy muaj ditë do të thotë që ta arrestojnë dhe të bëjnë spektakël”, ka thënë ai në Debat Plus.
“Nuk është zënë në flagrancë duke marrë korrupsion ose dukë nënshkruar atë kontratë ose duke bërë një vepër për çka ka intervenuar organet e rendit që ta arrestojnë në flagrancë. Kështu që konsideroj që ka qenë më shumë për një show mediatik, për ta prishur imazhin e menaxhmentit të ri të KEK-ut, dhe një formë përmes menaxhmentit të KEK-ut t’i qepojë edhe Qeverisë”, është shprehur ai.
Më 19 prill, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se Krasniqi është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.
Ndër të tjera, Haliti ka thënë se për këtë rast nuk ka asnjë dëshmi edhe pse në të kaluarën ka pasur “afera” të ndryshme nuk kanë ndodhur “spektakle të arrestimit” në vendin e punës si në rastin e Krasniqit.
“Për rastin në KEK nuk kemi asnjë dëshmi, nuk ka asnjë, fakt. Deri në këtë moment nuk kemi asgjë publike, as të konfirmuara nga organet e drejtësisë do të thotë vetëm kemi fjalë kontra nga opozita dhe nga disa analistë në studiu televizive. Mirëpo deri më tani zyrtarisht nuk kemi deklarim nga organet e drejtësisë, ose të menaxhmentit. Kemi pasur shumë afera të ndryshme që publiku i din dhe i njeh, dhe nuk kanë ndodhur këso spektakle të arrestimit në vendin e punës. Kanë mundur ta ftojnë në formë të rregullt prokuroria ose gjykata që të lajmërohet, dhe Krasniqi do të iu kishte përgjigjur një ftese të tillë”, ka deklaruar Haliti.